Zyrtarët perëndimorë: Fazat e hershme të kundërsulmit ukrainas s’po i përmbushin pritjet
Në fazat e hershme të tij, kundërsulmi i forcave ukrainase është duke pasur më pak sukses dhe forcat ruse po shfaqin më shumë kompetencë sesa që pritej sipas vlerësimeve perëndimore, i kanë thënë televizioni CNN dy zyrtarë perëndimorë dhe një zyrtar i lartë ushtarak i ShBA-së.
Njëri nga zyrtarët tha se kundërsulmi ukrainas “nuk është duke i përmbushur pritjet në asnjërin front”, raporton televizioni CNN.
Sipas vlerësimeve perëndimore, linjat ruse të mbrojtjes janë dëshmuar si të fortifikuara mirë, duke ua bërë të vështirë forcave ukrainase thyerjen e tyre. Për më tepër, forcat ruse kanë pasur sukses gjatë goditjeve ndaj automjeteve të blinduara të ushtrisë ukrainase me raketa dhe mina dhe e kanë dislokuar fuqinë ajrore në mënyrë më efektive.
Njëri nga zyrtarët perëndimorë tha se forcat ukrainase po tregohen “të brishta” ndaj fushave të minuara, ndërsa forcat ruse “kompetente” në mbrojtje.
Këta zyrtarë paralajmëruan se kundërsulmi ukrainas është ende në fazat e hershme të tij dhe se ShBA-ja e aleatët e saj “mbeten optimistë” se forcat ukrainas do të mund të shënojnë fitore territoriale me kalimin e kohës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ka gjasë që të presin të paktën deri në korrik për një vlerësim më të plotë të progresit të kundërsulmit që u nis në mënyrë graduale gjatë javëve të fundit dhe që shihet si kritik për përcaktimin e fituesit të luftës.
Për më tepër, këta zyrtarët theksojnë se vetë forcat ukrainase janë përshtatur ndaj taktikave dhe mënyrave të mbrojtjes së forcave ruse, përfshirë kryerjen e më shumë operacioneve të zbërthyera. Ditëve të fundit, forcat ukrainase kanë pasur më shumë sukses edhe gjatë shënjestrimit dhe rrëzimit të aeroplanëve e helikopterëve rusë.
Përfundimisht, kundërsulmi po tregohet “udhëtim i vështirë” për Ukrainën dhe Rusinë, tha njëri nga zyrtarët perëndimorë, pasi të dyja palët po pësojnë humbje të rënda.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pranoi të mërkurën se progresi ka qenë “më i ngadalshëm sesa që është dëshiruar”. “Ne definitivisht do të donim që të bënim hapa më të mëdhenj. Megjithatë, ata që luftojnë, do të fitojnë dhe atyre që trokasin, dera do t’u hapet”- tha ai.

