Zelensky e pranon se ka përparim të ngadalshëm, por thotë se ofensiva s’është film - NACIONALE

Zelensky e pranon se ka përparim të ngadalshëm, por thotë se ofensiva s’është film

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar se përparimi në fushën e betejës ka qenë “më i ngadalshëm se që është dëshiruar”, disa javë pas fillimit të ofensivës ukrainase për të marrë nën kontroll zona të pushtuara nga Rusia.

“Disa njerëz besojnë se ky është një film Hollivudi dhe presin rezultate tash. Nuk është. Në pyetje është jeta e njerëzve”- i tha ai televizionit BBC.

Ukraina thotë se deri më tani ka marrë nën kontroll tetë fshatra në rajonin Zaporizhia në jug dhe në rajonin Donetsk në lindje gjatë kundërofensivës.

Zelensky tha se nisma ushtarake nuk po rrjedh lehtë, sepse 200 mijë kilometra katrorë territor ukrainas është minuar nga forcat ruse.

“Çfarëdo që disa mund të dëshirojnë, përfshirë përpjekjet për të na bërë presion, me gjithë respektin, ne do të përparojmë në fushën e betejës në mënyrën që ne e vlerësojmë si më të mirën”- shtoi presidenti ukrainas.

Ai e ritheksoi nevojën që Ukrainës t’i ofrohen garanci të sigurisë nga NATO-ja, port ha se qëllimi përfundimtar është anëtarësimi në aleancën ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të qartë këtë javë se nuk ekziston ndonjë plan në tavolinë për t’i bërë ftesë Ukrainës gjatë samitit që do të mbahet në korrik në Lituani.

Presidenti ukrainas përsëri bëri thirrje që Ukraina të marrë aeroplanë luftarakë të tipit F-16 dhe tha se beson që pilotët mund ta fillojnë trajnimin nga gushti dhe se aeroplanët e parë mund të arrijnë pas gjashtë ose shtatë muajve.

Zelensky foli me rastin e një konference për rindërtimin e Ukrainës, e cila u mbajt në Londër, ku u fol për rolin e sektorin privat për rindërtimin e vendit.

Ekonomia e Ukrainës u tkurr për 29,2 për qind vitin e kaluar, ndërsa Banka Botërore këtë vit vlerësoi se kostoja e rindërtimit të vendit do të jetë 411 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme