Ukraina raporton për “sukses të pjesshëm” nga luftimet në jug
Forcat ukrainase janë duke i përforcuar pozicionet që i kanë arritur në zonat e frontit jugor, pasi patën “sukses të pjesshëm” gjatë luftimit kundër forcave ruse, tha të mërkurën një zëdhënës ushtarak.
Forcat ukrainase janë duke kryer operacione ofensive në drejtim të qyteteve të pushtuara nga Rusia, Melitopol dhe Berdiansk në rajonin e Zaporizhias, tha zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, Andriy Kovalev, duke i përmendur emrat e fshatrave në juglindje të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
“Ato (forcat ukrainase) kishin sukses të pjesshëm në drejtimet e Novodanilivkas – Robotyne, Mala Tokmachka – Verbove, Vilne Pole – Mararivka, ato janë duke u fuqizuar në kufijtë e arritur”- citohet të ketë thënë Kovalevi.
Ukraina është duke luftuar edhe për të kufizuar një përparim të trupave ruse në lindje, ndërsa luftime posaçërisht të ashpra po zhvillohen afër qytezës Lyman në rajonin e Donetskut, shtoi ai.
Ukraina tha të hënën se kishte marrë nën kontroll tetë fshatra gjatë dy javëve të operacioneve të kundërsulmit në pjesët e pushtuara jugore, por se forcat ruse po mundoheshin që ta rimerrnin nismën në lindje përmes shtimit të sulmeve.
