Rusia thotë se Ukraina planifikon që ta sulmojë Krimenë me raketa amerikane e britanike - NACIONALE

Rusia thotë se Ukraina planifikon që ta sulmojë Krimenë me raketa amerikane e britanike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha të martën se Moska ka informata se Ukraina është duke planifikuar që ta sulmojë Krimenë e kontrolluar nga Rusia me raketa amerikane e britanike me rreze më të gjatë dhe paralajmëroi se për një veprim të tillë do të ketë hakmarrje, nëse ai ndodh.

Rusia e ankesoi Krimenë më 2014, por vlerëson se ajo është jashtë terrenit në të cilin thotë se është duke kryer një “operacion special ushtarak”, i përqendruar në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës, ku forcat ukrainase janë duke luftuar për të rimarrë territore nën kontroll, raporton agjencia “Reuters”.

Shoigu tha në një takim të zyrtarëve ushtarakë se Moska ka informata se Ukraina planifikon që ta sulmojë Krimenë me sisteme raketore amerikane me rreze të gjatë, HIMARS, dhe me raketa britanike me vetëdrejtim, “Storm Shadoë”.

“Përdorimi i këtyre raketave jashtë zonës së operacionit tonë special ushtarak do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të tërhiqeshin plotësisht në konflikt dhe do të përfshinte sulme të menjëhershme ndaj qendrave të vendimmarrjes në Ukrainë”- tha ministri rus.

Gjeneralët dhe politikanët ukrainas kanë thënë shumë herë se nuk i njoftojnë planet e tyre ushtarake para kohës.

Shoigu tha se forcat e armatosura të Ukrainës kishin kryer 263 sulme ndaj pozicioneve të forcave ruse nga 4 qershori, duke iu referuar datës që Moska e cilëson si fillim të kundërsulmit ukrainas.

“Duke iu falënderuar veprimeve të zgjuara dhe vetëmohuese të njësiteve tona, të gjitha (sulmet) janë zmbrapsur, armiku nuk i ka arritur qëllimet e veta”- shtoi ai.

Në anën tjetër, Ukraina thotë se ka rimarrë tetë fshatra në fazat e hershme të kundërsulmit të saj dhe një zyrtar i mbrojtjes ka premtuar se “goditja më e madhe” e Kievit ende nuk është bërë pavarësisht nga rezistenca e fortë nga trupat ruse.

Lajme të ngjashme