Ukraina përsëri raporton për “sukses të pjesshëm”, tash nga luftimet në lindje e juglindje - NACIONALE

Ukraina përsëri raporton për “sukses të pjesshëm”, tash nga luftimet në lindje e juglindje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase të enjten raportoi për “sukses të pjesshëm” nga luftimet në pjesët lindore dhe juglindore të vendit, ku tha se trupat e saj ishin duke e vazhduar kryerjen e operacioneve të ofensivës.

Forcat ukrainase, të cilat nisën një kundërsulm ndaj forcave ruse këtë muaj, ishin duke i përforcuar pozicionet që i kishin arritur pas sulmeve drejt fshatrave juglindore, Rivnopil dhe Staromayorske, tha zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, Andriy Kovaliov.

Këto dy fshatra të rajonit të Donetskut shtrihen afër një vargu të vendbanimeve të vogla që janë marrë nën kontroll nga Ukrainë më herët këtë muaj, raporton agjencia “Reuters”.

Në komentet e raportuara nga Qendra Mediale e Ushtrisë së Ukrainës, zëdhënësi Kovaliov tha se trupat ukrainase ishin duke sulmuar edhe drejt vendbanimeve të vogla, Bilohorivka dhe Dibrova në lindje.

“Luftime posaçërisht të ashpra vazhdojnë në drejtim të Limanit, në zonat në veriperëndim të Dibrovës, afër pyllit të Serebrianskut, dhe në veri të Hrihorivkës, në rajonin e Donetskut”- citohet të ketë thënë zyrtari ukrainas.

Sipas tij, trupat ukrainase ishin duke u rezistuar sulmeve ruse në zonat e Limanit, Bakhmutit, Avdivkës dhe Marinkës.

Lajme të ngjashme