U zhduk pas rebelimit të “Wagner”-it, gjenerali Surovikin shkarkohet nga pozita e komandantit
Gjenerali Sergey Surovikin, ish-udhëheqës i operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, është shkarkuar nga pozita e komandantit të Forcave Aerohapësinore të Rusisë, raportuan të mërkurën mediat shtetërore, duke cituar burime të paidentifikuara.
I njohur si “Gjeneral Armagedoni” për shkak të pretendimeve rreth brutalitetit të tij, Surovikini nuk është parë në publik që nga kryengritja e shkurtër e shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, në qershor, duke nxitur thashetheme të pakonfirmuara për arrestimin e tij, raporton televizioni CNN.
Sipas dokumenteve sekrete të ndara ekskluzivisht me televizionin CNN në qershor, lihet të kuptohet se Surovikini ishte në mesin e të paktën 30 zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë e të inteligjencës ruse që ishin anëtarë sekretë VIP të grupit “Wagner”.
Sipas raportimit të agjencisë “RIA Novosti”, Surovikini është zëvendësuar nga Gjenerali Viktor Afzalov, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Aerohapësinore.
Lajmi për shkarkimin e Surovikinit u raportua fillimisht nga gazetari i njohur rus dhe ish-udhëheqësi i radiostacionit tashmë të mbyllur, “Jehona e Moskës”, Alexey Venediktov.
Sipas burimeve të cituara nga faqja ruse për lajme biznesi, RBC, shkarkimi i Surovikinit ka ndodhur për shkak të angazhimit të tij në një post tjetër dhe thuhet se ai ndodhet në një pushim të shkurtër.
Surovikini ishte emëruar komandant i operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë në tetor të vitit të kaluar. Në janar, ky rol iu ricaktua komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Gjeneral Valery Gerasimov, ndërsa Surovikini u emërua si njëri nga tre zëvendësit e tij.
