NYT: Një gjeneral i lartë rus e dinte planin e Prigozhinit për kryengritje - NACIONALE

NYT: Një gjeneral i lartë rus e dinte planin e Prigozhinit për kryengritje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur amerikane, "The New York Times", raportoi të martën se gjenerali Sergey Surovikin, zëvendëskomandant i operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, kishte njohuri paraprake se shefi i mercenarëve të grupit "ëagner", Yevgeny Prigozhin, ishte duke planifikuar një kryengritje kundër zyrtarëve rusë të mbrojtjes.

Kjo gazetë citoi zyrtarë amerikanë të informuar nga shërbimet e inteligjencës në ShBA në lidhje me këtë çështje dhe raportoi se zyrtarët ishin "duke u përpjekur për të marrë vesh nëse gjenerali Surovikin, ish-komandant i operacioneve në Ukrainë, e kishte ndihmuar Prigozhinin që t'i planifikonte veprimet fundjavën e kaluar".

Gazeta e njohur raportoi, gjithashtu, se zyrtarët amerikanë kanë thënë se kishte shenja që edhe gjeneralë të tjerë rusë mund ta kenë përkrahur Prigozhinin.

Agjencia "Reuters" nuk ka mundur ta vërtetojë menjëherë raportimin. Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë për koment. As Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për ta komentuar këtë çështje.

Prigozhini shkoi në ekzil në Bjellorusi të martën sipas një marrëveshjeje me të cilën iu dha fund kryengritjes së mercenarëve në fundjavë. Presidenti rus, Vladimir Putin, i vlerësoi lart forcat ruse të sigurisë, duke thënë se ato kanë shmangur një luftë civile.

Surovikini, të cilin mediet ruse e quajnë "Gjeneral Armagedoni", ishte emëruar në krye të operacioneve në Ukrainë në tetor, por në janar, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, e caktoi komandantin e përgjithshëm të ushtrisë ruse, Gjeneral Valery Gerasimov, në pozitën e shefit të operacioneve në Ukrainë, ndërsa Surovikini u emërua zëvendës i tij.

Lajme të ngjashme