Gjenerali Surovikin i paralajmëron luftëtarët e “Wagner”-it pas rebelimit të Prigozhinit
Njëri ndër komandantët më të lartë ushtarakë të Rusisë, Gjeneral Sergei Surovikin, u ka bërë thirrje luftëtarëve të grupit “Wagner” që t’u binden vullnetit dhe komandës së presidentit Vladimir Putin dhe të kthehen në bazën e tyre.
Surovikini, i cili është zëvendëskomandant i fushatës ushtarake ruse në Ukrainë, përmes një videoja tha: “Ju duhet ta bëni këtë para se të jetë tepër vonë. Bindjuni vullnetit dhe komandës së presidentit të zgjedhur të Federatës Ruse”, raporton televizioni BBC.
“Ndalini autokolonat, kthehuni na bazat dhe në vendet ku ju jeni të stacionuar”- shtoi ai.
Duket se autoritetet ruse e kanë marrë seriozisht rebelimin e shefit të “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin. Në Moskë janë ndërmarrë masa anti-terroriste dhe automjete të blinduara janë parë rrugëve.
Autostrada M4, e cila e lidh Moskën me Rostovin, është mbyllur në kufirin mes rajoneve Lipetsk dhe Voronezh, sipas guvernatorit të Lipetskut.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet që të bëjë një paraqitje televizive së shpejti.

