Prigozhini pretendon se e ka marrë kontrollin e objekteve ushtarake në Rostov-on-Don
Kreu i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, në një video të re ka thënë se të gjitha objektet ushtarake në qytetin rus, Rostov-on-Don, janë nën kontrollin e këtij grupi.
Në videon e publikuar në “Telegram”, ai pretendoi se forcat e tij ndodhen në selinë qendrore të distriktit ushtarak jugor në Rostov-on-Don, raporton agjencia “Reuters".
Prigozhini thotë se kjo nuk e pengon kryerjen e atij që Rusia e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Raportohet se presidenti rus, Vladimir Putin, do të bëjë një adresim televizion së shpejti, siç citohet të ketë thënë një zëdhënës i Kremlinit.
Prigozhini pretendon se këto veprime nuk përbëjnë puç ushtarak, por duket se qëllimi i tij është rrëzimi i udhëheqësisë ushtarake të Rusisë.
Në një video të publikuar në orët e fundit, Prigozhini duket se është takuar me zëvendësministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Yunus-Bek Yevkurov.
Prigozhini ka kërkuar një takim me komandantin e përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, dhe me ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu.
