Prigozhini i “Wagner”-it zotohet se do t’i rrëzojë udhëheqësit ushtarakë të Rusisë
Kreu i grupit të mercenarëve “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ëshë zotuar se “do të shkojë deri në fund” për ta rrëzuar udhëheqësinë ushtarake të Rusisë, disa orë pasi Kremlini e akuzoi atë për “rebelim të armatosur”.
Prigozhini tha se luftëtarët e grupit të tij e kishin kaluar kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin Rostov-on-Don.
Sipas tij, pjesëtarët e “Wagner”-it do të shkatërrojnë këdo që u del në rrugë.
Guvernatori lokal u bëri thirrje qytetarëve atje që të qëndrojnë të qetë dhe brenda shtëpive, raporton televizioni BBC.
Prigozhini pretendoi se forcat e tij kishin rrëzuar një helikopter ushtarak rus që “hapi zjarr ndaj një autokolone civilësh”. Ai nuk e tregoi vendin e rrëzimit dhe pretendimi nuk mund të vërtetohej menjëherë në mënyrë të pavarur.
Tensionet mes këtij grupi dhe autoriteteve ruse janë rritur kohëve të fundit. Prigozhini ka paraqitur ankesa të vazhdueshme ndaj udhëheqësisë ushtarake ruse.
Të premten, udhëheqësi i mercenarëve e akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës me raketa ndaj trupave të tij dhe u zotua se do ta ndëshkojë atë. Ai nuk ofroi dëshmi për këtë.
Autoritetet ruse e kanë mohuar këtë sulm dhe kanë kërkuar që ai t’i ndërpresë “veprimet e tij ilegale”.