Tri dënime me burgim të përjetshëm nënës amerikane për vrasjen e dy fëmijëve të saj
Një nënë në Idaho të Shteteve të Bashkuara është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve të saj më të vegjël dhe për konspiracion rreth vrasjes së ish-bashkëshortes së burrit të saj.
Lori Vallow Daybell, 50 vjeçe, ishte shpallur fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe për disa akuza për konspiracion në maj.
Ajo është shpallur fajtore për vrasjen e të birit 7-vjeçar, Joshua “JJ” Vallow, dhe të bijës 16-vjeçare, Tylee Ryan, raporton televizioni BBC.
Trupat e tyre ishin gjetur të varrosur afër shtëpisë së bashkëshortit të saj në vitin 2020. Të hënën, gjykatësi Steven Boyce e dënoi këtë grua me tri dënime me burgim të përjetshëm pa mundësi të zbutjes së dënimit.
“Lloji më i paimagjinueshëm i vrasjes është që një nënë t’i vrasë fëmijët e vet dhe kjo është saktësisht ajo që e keni bërë ju”- tha gjykatësi Boyce.
Dëshmi emocionale nga të afërmit e fëmijëve u dëgjuan në gjykatë gjatë seancës për shqiptimin e dënimit.
“Tylee dhe JJ sollën aq shumë dritë në këtë botë. Dua që ata të kujtohen për atë se kush ishin e jo të jenë vetëm një spektakël ose titull kryesor në gazeta për botën”- thuhet në një deklaratë të vëllait të tyre të madh, Colby Ryan, që u lexua nga prokurorët.
Chad Daybell akuzohet për vrasje rreth vdekjes së fëmijëve dhe për vdekjen e ish-gruas së tij, Tammy Daybell, disa javë para se të martohej me gruan që tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykimi i tij është caktuar për fillimin e vitit të ardhshëm.
Vallow dhe Daybell mendohet se ishin takuar gjatë angazhimit të tyre në një lëvizje që e promovonte përgatitjen për fundin e botës.
