“The Times”: Izraeli mund t’i ndërpresë lidhjet e sigurisë me Britaninë, nëse ajo e njeh Palestinën - NACIONALE

“The Times”: Izraeli mund t’i ndërpresë lidhjet e sigurisë me Britaninë, nëse ajo e njeh Palestinën

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Izraeli është duke e shqyrtuar tërheqjen e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë me Britaninë e Madhe, nëse kryeministri britanik, Keir Starmer, e përmbush premtimin për njohjen e Palestinës, në një lëvizje që do të mund ta minonte sigurinë kombëtare, raporton në mënyrë ekskluzive gazeta britanike, “The Times”.

Disa burime diplomatike i thanë gazetës së njohur që Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke e ekzaminuar këtë kundërpërgjigje si njërën nga një varg opsionesh, nëse Britania njeh një shtet palestinez muajin e ardhshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Një zyrtar paralajmëroi se Britania dhe shtetet e tjera që janë duke e shqyrtuar njohjen diplomatike duhet që t’i “shqyrtojnë me kujdes” pasojat e një vendimi të tillë.

Një burim tjetër diplomatik tha: “Londra duhet të jetë e kujdesshme, sepse Bibi [Netanyahu] dhe ministrat e tij kanë letra me të cilat edhe ata mund të luajnë. Izraeli e çmon partneritetin e vet me Mbretërinë e Bashkuar, por vendimet e fundit nënkuptojnë se ai po vihet nën presion dhe se Britania ka shumë për të humbur, nëse Qeveria e Izraelit vendos që të ndërmarrë hapa si kundërpërgjigje.”

Izraeli ka reaguar me zemërim ndaj vendimit të kryeministrit britanik, duke e akuzuar se po i jep Hamasit “një shpërblim për terror” duke e ofruar njohjen e Palestinës jashtë një procesi të paqes dhe para se të lirohen pengjet që po mbahen ende në Gaza. Starmer-i ka thënë se Britania do ta njohë shtetin e Palestinës muajin e ardhshëm, nëse Izraeli nuk lejon që të hyjnë më shumë ndihma në Gaza, nëse nuk e ndërpret aneksimin e tokave në Bregun Perëndimor dhe nëse nuk pajtohet për armëpushim dhe nëse nuk nënshkruan një proces afatgjatë të paqes.

Të enjten, Netanyahu tha se ai synon që ta marrë nën kontroll tërë Rripin e Gazës, por se “nuk dëshiron ta mbajë atë”. Kryeministri izraelit thirri një takim me kabinetin e sigurisë, ku u vendos që të merret nën kontroll Qyteti Gaza, transmeton gazeta "Nacionale".

Tërheqja e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe të sigurisë me Britaninë do të kishte ndërlikime domethënëse ekonomike dhe të sigurisë për të dyja vendet, kanë paralajmëruar ekspertët.

Në vitet e fundit, inteligjenca izraelite u ka ofruar të dhëna jetike agjencive britanike të spiunazhit për kërcënimet e përkrahura nga Irani në Britani, të cilat tani raportohet se paraqesin rrezik po aq të madh ndaj Britanisë sa Rusia.

Merret vesh se të dhënat e inteligjencës nga agjencia izraelite Mossad kanë ofruar informata jetike për homologët britanikë që penguan një komplot të dyshimtë terrorist të lidhur me Iranin ndaj ambasadës izraelite në Londër. Këto të dhëna kishin çuar në dy prej operacioneve më të mëdha kundër terrorizmit në Britani viteve të fundit, kur pesë persona ishin arrestuar në lidhje me një plan të dyshimtë për ta vënë në shënjestër ambasadën në perëndim të Londrës.

Britania gjithashtu ka shfrytëzuar dronë të prodhimit izraelit për operacione vëzhgimi në Irak dhe Afganistan dhe pajisjeve izraelite të mbrojtjes u janë dhënë merita për shpëtimin e jetës së ushtarëve britanikë gjatë konfliktit ushtarak me këto dy shtete.

Edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është thellësisht i rrënjosur mes dy vendeve. Kompani izraelite u shesin sisteme armësh, pjesë e softuerë firmave britanike si BAE.

Kompanitë izraelite janë thellësisht të integruara në zinxhirët furnizues të industrisë britanike të mbrojtjes dhe përbëjnë një pjesë substanciale të partneritetit të përgjithshëm tregtar mes dy vendeve, i cili e ka vlerën e 6 miliardë funteve dhe mbështet 38 mijë vende pune.

Thuhet se anëtarët e Qeverisë së Izraelit janë të ndarë sa i përket masës për ndërprerjen e lidhjeve me Britaninë. Disa paralajmërojnë se një veprim i tillë do të kishte ndikim të dëmshëm ndaj ekonomisë izraelite dhe do t’i jepte fund asistencës që ofrohet nga ushtria britanike për operimin e aeroplanëve RAF mbi Gaza për gjetjen e pengjeve të zhdukura./Nacionale

Lajme të ngjashme