Pamje: Rusia e godet me dron selinë qendrore të agjencisë ukrainase të inteligjencës, SBU - NACIONALE

Pamje: Rusia e godet me dron selinë qendrore të agjencisë ukrainase të inteligjencës, SBU

1 orë më parë

nga NACIONALE

Selia qendrore e agjencisë ukrainase të inteligjencës, SBU, është goditur nga një sulm rus me dron, duke shkaktuar tym të zi që u pa në qendër të Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai e ka udhëzuar SBU-në që të japë një “kundërpërgjigje të duhur, të prekshme” ndaj sulmit, ndërsa ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybuha, e cilësoi rastin “përshkallëzim të madh”, raporton gazeta “The Guardian”.

Rrugët përreth selisë qendrore të SBU-së u rrethuan pak kohë pas sulmit të së premtes, ndërsa oficerë të armatosur po patrullonin në atë zonë.

Shumë autoambulanca dhe automjete të tjera të shërbimeve emergjente u vendosën përreth vendit të ngjarjes, që ndodhet afër Katedrales së Shën Sofisë, objekt i mbrojtur nga UNESCO-ja.

“Fatkeqësisht, një dron rus e goditi ndërtesën qendrore të SBU-së në Rrugën “Volodymyrska” në Kiev, përballë Katedrales së Shën Sofisë. Droni e kishte në shënjestër drejtpërdrejt zyrën e kreut të Shërbimit të Sigurisë në atë ndërtesë” – shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”.

Kievi është ballafaquar me sulme të përditshme me dronë e raketa nga Rusia për më shumë se një javë. Zelensky i bëri thirrje Rusisë të premten që t’i ndalë sulmet gjatë vizitës së negociatorëve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndaj kryeqytetit ukrainas të dielën dhe tha se Ukraina do ta garantojë sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë kohës kur ata do të jenë në Moskë.

Ukraina është duke u ballafaquar me mungesë kritike të raketave kundërajrore të prodhimit amerikan, “Patriot”, të cilat mund të rrëzojnë raketa sulmuese.

Lajme të ngjashme