Të rinjtë iranianë më të guximshëm se kurrë - ngrihen kundër represionit prej dekadash
Ndërsa protestat për vdekjen e një gruaje të re në paraburgimin e policisë së moralit tronditën Republikën Isamike, autoritetet iraniane thonë se do të kufizojnë aksesin e internetit në vend derisa të rivendoset qetësia në rrugë.
Që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u kap në Teheran dhe u dërgua në një “qendër riedukimi”, me sa duket për shkak të mosmbajtjes së hixhabit siç duhet, mijëra iranianë kanë dalë në protesta.
Demonstratat janë zhvilluar të paktën në 40 qytete në mbarë vendin, duke përfshirë kryeqytetin Teheran, me protestues që kërkojnë t'i jepet fund dhunës dhe diskriminimit ndaj grave, si dhe t'i jepet fund veshjes së detyrueshme të hixhabit.
Thuhet se deri më tani në përleshje me forcat e sigurisë janë vrarë dhjetëra protestues. Megjithatë numri I të vdekurve është e pamundur të konfirmohet nga dikush jashtë qeverisë iraniane – dhe vlerësime të ndryshme janë dhënë nga grupet opozitare, organizatat ndërkombëtare të të drejtave dhe gazetarët vendas.
Amnesty International tha të premten se të paktën 30 persona, përfshirë katër fëmijë, kishin vdekur, ndërsa sipas mediave shtetërore të Iranit, 35 persona kanë vdekur.

Dekada të represionit
Autoritetet shpresojnë se duke kufizuar internetin ata mund të kontrollojnë protestat – e fundit në një valë që ka përfshirë Iranin vitet e fundit. Ata filluan me lëvizjen e Gjelbër në vitin 2009 mbi rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve dhe së fundmi protestat e vitit 2019 të shkaktuara nga një rritje e çmimeve të karburantit. Sipas vlerësimeve të lëshuara nga OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut, besohet se në protestën e dhunshme tre vjet më parë janë vrarë qindra persona dhe janë plagosur mijëra të tjerë.
Por protestat e këtij viti janë të ndryshme – në shtrirjen, shkallën dhe natyrën e paprecedentë feministe. Ekziston gjithashtu mobilizim përtej ndarjes socio-ekonomike. Një brez i ri iranianësh po ngrihen në rrugë kundër dekadave të represionit – ndoshta më të guximshëm se kurrë.

Demonstratat janë përhapur në dhjetëra qytete iraniane, nga rajoni kurd në veriperëndim, në kryeqytetin Teheran dhe madje edhe në qytete tradicionalisht më konservatore si Mashhad.
Ndërsa protestat u ndezën nga vdekja e Amini-t – thirrjet fillestare për llogari janë kthyer në kërkesa për më shumë të drejta dhe liri, veçanërisht për gratë që për dekada që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 janë përballur me diskriminim dhe kufizime të rënda të të drejtave të tyre.
Por thirrjet për ndryshim regjimi janë gjithashtu në rritje. Njerëzit në të gjithë vendin po brohorasin për "vdekje diktatorit", duke iu referuar Udhëheqësit Suprem, duke rrëzuar portretet e Ayatollah Ali Khamenei. Imazhe të jashtëzakonshme u shfaqën të premten mbrëma nga vendlindja e Khameneit në qytetin Mashhad, ku protestuesit i vunë zjarrin statujës së një njeriu që konsiderohet si një nga simbolet e Revolucionit Islamik. E skena të tilla ishin të pamendueshme në të kaluarën.

E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur udhëheqja e vijës së ashpër të Iranit është nën presion në rritje me bisedimet për të ringjallur marrëveshjen e ngecur bërthamore të vitit 2015 dhe gjendjen e ekonomisë nën sanksionet e SHBA-së; iranianët e zakonshëm po luftojnë për të përballuar nivelet në rritje të inflacionit.
Ndërsa këto protesta janë sfida më e madhe për qeverinë prej vitesh, analistët besojnë se qeveria ka të ngjarë të lëvizë për t'i frenuar ato duke përdorur taktikat e rënda që ka përdorur në të kaluarën. Ka shenja se po vjen një goditje brutale, së bashku me kufizimet e internetit në një nivel të paparë që nga viti 2019. Masa të tjera përfshijnë mobilizimin e qeverisë së mbështetësve të saj në mitingje masive pas lutjeve të së premtes; zyrtarë që shkarkojnë demonstruesit si rebelë dhe agjentë të huaj dhe paralajmërime ogurzeza se ushtria dhe Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare iraniane do të vendosen për t'u marrë me protestat.
Masa për të kufizuar më tej internetin pasoi gjithashtu një thirrje nga Kombet e Bashkuara për një hetim të pavarur mbi vdekjen e Amini dhe që forcat e sigurisë të Iranit të përmbahen nga përdorimi i "forcës joproporcionale" ndaj protestuesve.
Zemërimi për vdekjen e Aminit vjen nga skepticizmi publik mbi llogarinë e dhënë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët pretendojnë se ajo vdiq pasi pësoi një "sulm në zemër" dhe ra në koma. Por familja e Aminit ka thënë se ajo nuk kishte asnjë sëmundje para-ekzistuese të zemrës.
Vdekja e Amini tani është bërë një simbol i shtypjes së dhunshme me të cilën janë përballur gratë në Iran për dekada, dhe emri i saj është përhapur në mbarë globin, me liderët botërorë që folën për atë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut këtë javë.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha të enjten se ekspertët e OKB-së dënojnë me forcë përdorimin e dhunës fizike ndaj grave në Iran nga autoritetet shtetërore.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të zhvillojnë një hetim të pavarur, të paanshëm dhe të shpejtë për vdekjen e zonjës Amini, të bëjnë publike gjetjet e hetimit dhe të mbajnë përgjegjësi të gjithë autorët”, thuhej në deklaratën e OKB-së.
OKB bën thirrje për hetim
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha të premten se ai ishte “i shqetësuar për raportet e protestave paqësore që po përballeshin me përdorim të tepruar të forcës që çoi në dhjetëra vdekje dhe plagosje”.
OKB-ja tha se po ndjek nga afër protestat në Iran dhe u bëri thirrje autoriteteve të "respektojnë të drejtën për lirinë e shprehjes, tubimin paqësor dhe shoqërimin".
“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve që të respektojnë të drejtat e grave dhe të eliminojnë të gjitha format e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave dhe të zbatojnë masa efektive për t'i mbrojtur ato nga shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare."
Guterres përsëriti një thirrje nga ushtruesi i detyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut për një hetim të shpejtë mbi vdekjen e Amini nga një "autoritet kompetent i pavarur".


