Raportohet për pesë të vrarë në protestat për vdekjen e gruas iraniane në ndalim - NACIONALE

Raportohet për pesë të vrarë në protestat për vdekjen e gruas iraniane në ndalim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pesë persona u vranë në rajonin Kurdistan të Iranit të hënën, kur forcat e sigurisë hapën zjarr gjatë protestave për vdekjen e një gruaje që ishte në ndalim policor, tha një grup për të drejtat e kurdëve, në ditën e tretë të trazirave për një incident që ka shkaktuar zemërim në mbarë vendin.

Mahsa Amini, 22-vjeçare nga provinca Kurdistan, ra në komë dhe vdiq pas arrestimit në Teheran javën e kaluar nga policia e moralit, duke nxitur protesta në disa zona, përfshirë kryeqytetin, raporton agjencia “Reuters”.

Dy nga viktimat u vranë përderisa forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve në qytetin kurd, Saqez, që është vendlindja e gruas që vdiq në duart e policisë, tha Organizata për të Drejtat e Njeriut “Hengaw”.

Kjo organizatë tha se dy njerëz të tjerë u vranë në qytezën Divandarreh “nga zjarri i drejtpërdrejt” i forcave të sigurisë dhe një tjetër u vra në Dehgolan, gjithashtu në rajonin kurd.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.

Autoritetet iraniane nuk i konfirmuan zyrtarisht këto vdekje. Agjencia zyrtare e lajmeve, IRNA, tha se ka pasur protesta “të kufizuara” në disa qytete të shtatë provincave dhe se protestat janë shpërndarë nga policia.

Televizioni shtetëror raportoi se disa protestues janë arrestuar, por i refuzoi “disa pretendime për vdekje në rrjete sociale” duke shfaqur dy të rinj të lënduar, të cilët i refuzuar raportimet se ata janë vrarë.

Policia ka thënë se Amini u sëmur përderisa priste me gra të tjera të mbajtura nga policia e moralit, e cila zbaton rregulla të rrepta në republikën islamike, sipas të cilave gratë duhet t’i mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjera në publik.

Sidoqoftë, babai i saj ka thënë vazhdimisht se vajza e tij nuk kishte probleme shëndetësore, duke shtuar se ajo kishte pësuar mavijosje në këmbë. Ai e konsideron policinë përgjegjëse për vdekjen e saj.

Protestat kanë qenë më intensive në rajonin kurd. Organizata “Hengaw” tha se 75 persona u lënduan të hënën. Në një video të publikuar në “Twitter” nga kjo organizatë, protestuesit shihen duke hedhur gurë dhe një burrë dëgjohet duke thënë “në Divandarreh ka luftë” dhe duke e akuzuar policinë për sulm./Nacionale

Lajme të ngjashme