Irani mohon çdo lidhje me sulmin ndaj Salman Rushdie, fajëson vetë shkrimtarin - NACIONALE

Irani mohon çdo lidhje me sulmin ndaj Salman Rushdie, fajëson vetë shkrimtarin

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Irani ka mohuar "kategorikisht" çdo lidhje me sulmuesin e Salman Rushdie- në vend të kësaj vendi ka fajësuar vetë shkrimtarin dhe mbështetësit e tij.

Rushdie, 75 vjeç, mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë në skenë në një ngjarje në shtetin e Nju Jorkut. Ai është përballur me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij të vitit 1988, Vargjet Satanike.

Më herët, lidhur me sulmin ndaj Rushdie, sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, akuzoi mediat shtetërore të Iranit duke thënë se po i bëjnë lavdi sulmit.

Mediat iraniane e kanë komentuar gjerësisht sulmin ndaj shkrimtarit, duke e cilësuar atë "shpagim hyjnor".

E përditshmja transmetuese shtetërore e Iranit Jaam-e Jam nënvizoi lajmin se Rushdie mund të humbasë një sy pas sulmit, duke thënë se "një sy i Satanit është verbuar".

E ndërsa të premten, nisën të shfaqen lajmet për sulmin ndaj tij, sytë u kthyen nga Teherani dhe ‘fetvaja” – dekreti fetar i lëshuar tre dekada më parë që bënte thirrje për vrasjen e tij.

Por të hënën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit Nasser Kanaani - duke dhënë reagimin e parë zyrtar të vendit - tha se Teherani "kategorikisht" mohon çdo lidhje me sulmin, duke shtuar se "askush nuk ka të drejtë të akuzojë Republikën Islamike të Iranit".

Megjithatë, ai tha se liria e fjalës nuk e justifikon Rushdie-n dhe fyerjen e fesë në librin e tij.

"Në këtë sulm, ne nuk e konsiderojmë askënd tjetër përveç Salman Rushdie dhe mbështetësve të tij të denjë për faj dhe madje edhe dënim," tha zëdhënësi gjatë konferencës së tij javore për shtyp në Teheran.

“Duke fyer çështjet e shenjta të Islamit dhe duke kapërcyer vijat e kuqe të më shumë se 1.5 miliardë muslimanëve dhe të gjithë pasuesve të feve hyjnore, Salman Rushdie është ekspozuar ndaj zemërimit dhe tërbimit të njerëzve”.

Ai shtoi se Irani nuk ka pasur anjë informacion për sulmuesin e Rushdie përveç asaj që është shfaqur në media.

Ndërkohë, Blinken edhe më herët kishte denoncuar institucionet shtetërore të Iranit për nxitje të dhunës kundër autorit.

Në një deklaratë të dhënë, Blinken u shpreh se Rushdie kishte "qëndruar në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat universale të lirisë së shprehjes, lirinë e fesë ose besimit dhe lirinë e shtypit".

Blinken shtoi se ShBA-të dhe partnerët e saj do të përdorin "çdo mjet të përshtatshëm" në dispozicion të tyre për t'iu kundërvënë atyre që ai i quajti "kërcënime".

Të dielën, djali i Rushdie tha se autori ishte ende në një gjendje kritike: "Megjithëse lëndimet e tij që do t’ia ndryshojnë jetën janë të rënda, sensi i tij i zakonshëm, i guximshëm dhe sfidues i humorit mbetet i paprekur," u shpreh ai.

Ndërsa, personi i akuzuar për sulmin e së premtes - i quajtur Hadi Matar, 24 vjeç - është deklaruar i pafajshëm për akuzat për tentativë vrasje dhe sulm. Ai akuzohet se vrapoi në skenë dhe goditi më thikë Rushdie-n të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe bark.

Pas botimit të “Vargjet Satanike” në vitin 1988, romancieri u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pasi shumë muslimanë reaguan me tërbim ndaj tij, duke argumentuar se portretizimi i Profetit Muhamed ishte një fyerje e rëndë për besimin e tyre.

Rushdie u përball me kërcënime me vdekje dhe lideri i atëhershëm iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, nxori një fetva - ose dekret - duke bërë thirrje për vrasjen e tij, ku edhe vendosi një shpërblim prej 3 milion dollarësh për kokën e autorit.

Megjithëse qeveria aktuale e Iranit është distancuar nga dekreti i Khomeinit, fetvaja mbetet ende aktive me një fondacion fetar pothuajse zyrtar që në vitin 2012, shpërblimit prej 3 milion dollarësh për kokën e Rushdie, i shtoi edhe një shumë prej 500,000 dollarësh.

Lajme të ngjashme