Salman Rushdie në “rrugë të gjatë drejt rikuperimit” - NACIONALE

Salman Rushdie në “rrugë të gjatë drejt rikuperimit”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Agjenti i autorit Salman Rushdie ka thënë se ai ka filluar "rrugën e tij drejt rikuperimit", por ka bërë të ditur se kjo rrugë do të jetë mjaft e gjatë.

Rushdie, 75 vjeç, mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë në skenë teksa fliste në një ngjarje në shtetin e Nju Jorkut.

Ai është përballur me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij Vargjet Satanike, të cilin disa muslimanë e shohin si blasfemi.

"Ai është jashtë ventilatorit, kështu që rruga për shërim ka filluar," tha agjenti i tij Andrew Wylie, duke shtuar se “rikuperimi do të zgjasë shumë, lëndimet janë të rënda, por gjendja e tij është në drejtimin e duhur”.

I dyshuari Hadi Matar, 24 vjeç, akuzohet se ka dalë në skenë dhe ka goditur me thikë Rushdie të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe bark.

Agjenti Wylie ka thënë se romancieri i njohur ka pësuar disa nerva të prera në njërin krah, dëmtim të mëlçisë dhe ka të ngjarë të humbasë njërin sy.

Përpara sulmit, Rushdie ishte gati të mbante një fjalim për mënyrën sesi ShBA ka shërbyer si një parajsë për shkrimtarë të tillë.

Pas sulmit ndaj ti, presidenti Joe Biden dhe zonja e parë, Jill Biden, lëshuan një deklaratë duke thënë se ishin "të tronditur dhe të pikëlluar" kur dëgjuan për sulmin, ata shtuan se Rushdie "mbron idealet thelbësore dhe universale".

Kujtojmë se, romancieri ishte detyruar të fshihej për gati 10 vjet pas botimit të Vargjeve Satanike në vitin 1988. Pas botimit, shumë muslimanë reaguan me tërbim ndaj tij, duke argumentuar se portretizimi i Profetit Muhamed ishte një fyerje e rëndë për besimin e tyre.

Rushdie u përball me kërcënime me vdekje dhe lideri i atëhershëm iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, nxori një fetva - ose dekret - duke bërë thirrje për vrasjen e tij, me vendosjen e një shpërblimi prej 3 milion dollarësh për kokën e autorit.

Fetvaja mbetet aktive dhe megjithëse qeveria e Iranit është distancuar nga dekreti i Khomeinit, një fondacion fetar pothuajse zyrtar iranian në vitin 2012 i ka shtuar shpërblimit për vrasjen e tij edhe 500,000 dollarë të tjera.

Ndërkohë, një zyrtar libanez ka thënë për mediat se sulmesi Matar, nga Fairview, New Jersey, ka lindur në ShBA nga prindër që kishin emigruar nga Libani.

Lajme të ngjashme