Rama ka të drejtë: vërtet ka prani rrjetesh iraniane - NACIONALE

Rama ka të drejtë: vërtet ka prani rrjetesh iraniane

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Institucionet e sigurisë në Tiranë nga e enjta kanë filluar t’i përvjelin mëngët ndaj njerëzve që konsiderohen si të afërt me Iranin dhe regjimin e atjeshëm islamik. Një ditë më vonë, edhe Mali i Zi ka vënë në pranga një nga profilet kyçe të inteligjencës iraniane që është përfshirë në shumë operacione kibernetike kundër ShBA-së. Në verën e 2016-s, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj ‘klerikut’ iranian, Hasan Azari Bejandi. Megjithëse përfaqësues i kryeqendrës propagandistike iraniane si Universiteti Ndërkombëtar Al-Mustafa në Qom, ai ishte arratisur nga Kosova pa përfunduar asnjëherë në duart e institucioneve të sigurisë. Dallimet mes sunive dhe shiive duket se kanë qenë fare të papërfillshme kur inteligjenca iraniane kishte mpleksur edhe terroristin namkeq, Lavdrim Muhaxheri, në një përpjekje për të kryer sulm terrorist në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër.

Col Mehmeti

26 qershor 2026 – Një urdhër i nënshkruar të enjten nga ministri i Brendshëm në Tiranë, Besfort Lamallari, e ka shpallur person të padëshiruar aktivisten dhe predikuesen fetare nga Kosova, Ikballe Berisha-Huduti.

I përcjellë te Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit për zbatim të menjëhershëm, vendimi ia ndalon prizrenases për 15 vjet hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

59 vjeçarja, siç edhe ka afishuar në profilin e saj në Facebook, mori pjesë në protestat antiqeveritare në Shqipëri, duke e konsideruar Tiranën si një ‘Qerbela’ moderne.

Nga thirrjet për kryengritje kundër qeverisë së Shqipërisë deri te femrat ‘turiste’

Gjatë dy ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama nuk ka reshtur së akuzuari elementë që po predikojnë urrejtje dhe bëjnë thirrje për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë.

Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirë”, shkroi Rama të enjten paradite.

Pasditen e së enjtes, kreu i qeverisë shqiptare në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’ ka afishuar edhe një video që paraqet një grup femrash iraniane të ardhura nga Kanadaja në Tiranë si pjesëmarrëse në protesta.

Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, po kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”, shkroi Rama në tekstin që ia bashkëngjiti videos në fjalë.

Berisha-Huduti: “Thaçi e Rama m’i bënë dy padrejtësi”

Një ditë pas vendimit për ‘non-grata’, Ikballe Berisha-Huduti ka thënë se është njoftuar vetëm nga mediat dhe se do t’i drejtohet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme në Prishtinë.

Teksa ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Administrative në Tiranë, ajo e ka cilësuar të padrejtë shpalljen e saj si person të padëshiruar nga Qeveria shqiptare.

Jam e shqetësuar shumë se po më bëhet padrejtësia e dytë. Njëherë në kohën e Hashim Thaçit më përdoren si mashë për t’i hyrë në hatër Amerikës, dhe tani edhe Edi Rama po e përdor personin tim”, ka thënë Huduti në një paraqitjeTop Channel.

Aktivistja nga Prizreni ka mohuar se ka shkelur ndonjë ligj të Shqipërisë apo rregull të protestës, duke shtuar se pjesëmarrja e saj ishte për të shprehur kundërshtimin ndaj ‘padrejtësisë’.

Nuk kam kurrfarë lidhje me Iranin. Mua Kosova ma ka dhënë emrin terroriste dhe ma ka shkatërruar familjen e jetën. Edi Rama e meriton non-gratën sepse Shqipërinë e ka korruptuar dhe vjedhur”, ka thënë mes të tjerash ajo.

Zi për gjeneralin iranian

Gjashtë vite më parë, njësia e antiterrorizmit të Policisë së Kosovës i kishte shkuar në derë Hudutit.

Sebep për ndalimin e saj kishin shërbyer disa afishime në rrjete sociale ku ajo kishte bërë thirrje për hakmarrje kur Shtetet e Bashkuara e kishin qëruar fizikisht gjeneralin kryesor iranian, Qassem Suleimani.

E lindur më 1967 në Prizren, Ikballe Berisha-Huduti shkollimin fillor e ka mbaruar në vendlindje.

Sipas biografisë së afishuar në faqen e saj, ajo më 1982 u regjistrua në Medresenë ‘Alaudin’ në Prishtinë, ku diplomoi pas katër vitesh.

Në vitin 2008, ajo diplomoi në Departamentin Letërsi e Përgjithshme dhe Krahasimtare në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjithnjë sipas jetëshkrimit të saj, Berisha-Huduti që nga 1986 ushtron profesionin e mësueses së Kuranit nëpër disa xhami të Prizrenit, ashtu sikurse edhe është e angazhuar në OJQ të ndryshme brenda e jashtë Kosovës.

Podgorica arreston hakerin iranian që dëmtoi ShBA-të

Një ditë pas vendimit të autoriteteve të sigurisë në Shqipëri, edhe një shtet fqinj i është bashkuar luftës ndaj atyre që dyshohen si të lidhur me inteligjencën iraniane.

Me ndihmën e FBI-së, Policia malazeze të premten ka vënë në pranga një shtetas iraniano-turk që dyshohet për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës në Shtetet e Bashkuara.

Institucionet e sigurisë së Malit të Zi e kanë arrestuar hakerin iranian për të cilin thuhet se ka udhëhequr operacione kibernetike me të cilat i ka shkaktuar Amerikës dëme në vlerë prej 3.4 miliardë dollarë.

39 vjeçari me inicialet A.B u arrestua në qytetin e Kotorit pasi ai është i kërkuar prej gjykatës federale në New York për mashtrime kompjuterike, hakim dhe vjedhje identitetesh.

Nga 2013-a e deri më sot, A.B kreu sulme të gjera hakimi, përfshirë edhe përvetësimin e të dhënave në më shumë se 150 universitete.

Sipas Prokurorisë malazeze, të dhënat e vjedhura nga llogaritë universitare qenë përdorur për hesap të Gardës Revolucionare në Iran.

Historia e harruar e ‘klerikut’ iranian që iku nga Kosova

Hera e parë dhe e fundit kur institucionet e sigurisë në Kosovë shpërpushen rrjetet e lidhura me Iranin është më 2016.

26 korrik të atij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj shtetasit iranian, Hasan Azari Bejadi, për veprat penale pastrim i parave dhe financim i terrorizmit.

Të gjitha këto veprimtari kleriku iranian i kishte kryer pas rrogozit të organizatave joqeveritare.

Sipas aktakuzës, Bejandi drejtonte të ashtuquajturin ‘Fondacion i Kuranit’ në Kosovë, që përfshinte pesë organizata joqeveritare të afiluara me islamin shiit dhe me lidhje me Iranin.

Sidoqoftë, kleriku iranian asnjëherë nuk ra në duart e institucioneve të sigurisë pasi dy ditë më vonë u arratis nga vendi.

Të dhënat në burimet iraniane në gjuhën farsi për këtë teolog janë praktikisht inekzistente.

Gjithçka dihet është se këto organizata joqeveritare ishin të lidhura me Universitetin Ndërkombëtar Al-Mustafa me seli në Qom të Iranit.

I themeluar sipas kredove të liderit të vrarë iranianë Ali Khamenei, Universiteti drejtohej prej ajatollah Alireza Aarafit, anëtar i Këshillit Suprem të Iranit për Revolucion Kulturor.

Pikërisht, Bejandi enigmatik konsiderohej si përfaqësues i këtij Universiteti në Kosovë.

Sa ka prani Irani në Kosovë dhe botën shqiptare?

Sipas vlerësimeve, penetrimi iranian në Ballkan zanafillon me të ashtuquajturën Qendër Kulturore pranë ambasadës iraniane në Beograd, e cila qe mjaft e gjallë në shpërndarjen dhe botimin e traktateve me përmbajtje islamiste.

Kjo ishte pasuar me botimin e revistave dhe librave fetarë nga autorë, si Morteza Motahhari, Mohammad Hossein Beheshti, Mohammad Javad Bahonar, etj.

Propaganda iraniane si duket u tokëzua më lehtë në pjesën shqiptare në Maqedoni, veçmas me hapjen e shtëpisë botuese ‘Zehra.’

Kaptull në vete i tokëzimit të ndikimit iranian në botën shqiptare është kur në shkurt të 1999-s u hap ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.

Në këtë kohë, rrjetet agjenturore iraniane përpiqeshin që me anë të ‘ndihmave’ të fitonin ndikim – Ajatollah Janati ishte dora kryesore e Iranit në këto shestime.

Lexo edhe: Lideri suprem i Iranit – një histori 27-vjeçare kundër Kosovës

UÇK-ia e sprapsi ndikimin iranian, Bosnja ra

Diplomacia iraniane dhe shërbimet inteligjente të Teheranit i kishin vënë syrin edhe luftës së armatosur të popullit shqiptar në Kosovë.

Me ambicien që të krijonte imazhin si kampion global i kauzave myslimane në botë, Irani, sidoqoftë, ia doli mbanë vetëm në Bosnjë që ta shtrinte ndikimin e vet.

Studiues të huaj pajtohen se UÇK-ja, e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, refuzoi çfarëdo ndihme nga Irani.

Sipas autorit Henry H. Perrit në librin e tij Kosovo Liberation Army: The Inside Story of an Insurgency, guerila shqiptare në Kosovë u tregua e suksesshme që të sprapste të gjitha ndikimet militante islamike.

Sipas Perritit, duke mbledhur të holla në Perëndim, UÇK-ja “sprapsi përpjekjet e Millosheviqit dhe simpatizuesve të tij në vendet e tjera që ta portretonin si organizatë terroriste dhe pararojë të Islamit militant. Të gjitha dëshmitë dëftojnë se UÇK-ja, ndryshe nga forcat boshnjake në Bosnjë, shmangu fundamentalistët islamikë.”

Irani, i njejtë si Rusia, në mosnjohjen e Kosovës

Kur këto përpjekje të Iranit dështuan, politika e regjimit islamik të ajetollahëve vazhdoi të bëhej tejet problematike kundrejt Kosovës së pavarur.

13 mars 2008, presidenti i asokohshëm Iranian Mahmoud Amadinejad kishte thënë se Irani ka vendosur që të mos e njohë Kosovën e pavarur, duke cituar si arsye çështjet dhe gjendjen në rajon.

Po në atë kohë, edhe ambsadori iranian në Rusi, Gholamreza Ansari, kishte shprehur brengën se, me “shkeljen” e Rezolutës 1244, po dobësoheshin organizatat ndërkombëtare.

Në vitet në vazhdim, diplomatët iranianë gjithnjë janë shprehur në mbështetje të politikës së Beogradit.

Mesazhe të tilla u tejçuan edhe nga vizita e zëvendësministrit të Jashtëm iranian Mohammed Akondzadeh në shtator 2011, me rastin e mbledhjes së të ashtuquajturës Lidhje e të Painkuadruarve në Beograd – sipas tij, Irani as nuk e kishte nijet ta njihte Kosovën si shtet sovran.

prill të vitit pasues, zëvendësminstri tjetër i Jashtëm Ramin Mehmanparast, gjatë vizitës në Beograd, bëri me dije se Irani do t’i përmbahej vendimit për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

I frikshmi plan për kasaphane në ‘Loro Boriçi’

Ana e errët e Iranit nuk ishte vetëm qëndrimi mosnjohës i pavarësisë së Kosovës.

Shërbimet iraniane kishin bërë çmos që ta kthenin tokën shqiptare në skenë aktesh makabre me anë të të cilave do të plagosej pakthyeshëm lidhja e shqiptarëve me Perëndimin.

Kështu, shërbimet iraniane duket se u përfshinë edhe në planifikimin e një sulmi terrorist kundër kombëtares së Izraelit në lojën e saj me Shqipërinë në Shkodër – Policia e Kosovës, më 2016, arrestoi 18 persona si të përfshirë në këtë përpjekje.

Kjo bëri që të zbuloheshin edhe celula bashkëpunëtorësh në Shkodër, Tiranë, Dobër, Elbasan e Pogradec.

Sipas hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës, njëra nga ‘mendjet’ e këtij komploti të nxitur nga Irani ishte terroristi namkeq, Lavdrim Muhaxheri.

Nëpërmjet lidhjeve të tij, ai kishte bërë thirrje që të kryhej një sulm terrorist në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër.

Njërit prej të pandehurve i ishte gjetur eksploziv i improvizuar ‘Triacetone triperoxide’ (TAPT), kurse te një tjetër ishte gjetur oksidues nitrat amonit, me anë të të cilit përftohen shpërthyes të improvizuar. /Nacionale/

Lajme të ngjashme