Arrestohet në Mal të Zi me ndihmën e FBI-së, i kërkuari nga SHBA-ja për sulme kibernetike në favor të Iranit - NACIONALE

Arrestohet në Mal të Zi me ndihmën e FBI-së, i kërkuari nga SHBA-ja për sulme kibernetike në favor të Iranit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Është arrestuar një person në Mal të Zi, i kërkuar nga SHBA-ja për krime kibernetike në favor të regjimit iranian.

Institucionet e sigurisë malazeze, së bashku me FBI-në, arrestuan një 39-vjeçar për sulme kibernetike që dëmtuan infrastrukturën amerikane në vlerë prej 3.4 miliardë dollarësh, tha policia malazeze.

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi e identifikoi të arrestuarin si një 39-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, turke dhe iraniane, me inicialet A.B.

Burri 39-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë, iraniane dhe turke, kërkohet nga Gjykata e Distriktit Jugor në Nju Jork me akuza që përfshijnë komplot për të kryer mashtrim kompjuterik, hakerim dhe vjedhje identiteti, raporton Reuters.

Të dhënat dhe qasja e vjedhur nga mbi 150 universitete përdoreshin në favor të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), ndërsa i arrestuari aktualisht ndodhet në Podgoricë për procedurat e ekstradimit drejt SHBA-së.

Policia shtoi se çështja do t'i kalojë tani një gjyqtari të Gjykatës së Lartë në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, për procedurat e ekstradimit.

39-vjeçari u arrestua në Kotor, tha të enjten drejtori i policisë malazeze.

Ndryshe, në prill, agjencitë amerikane të sigurisë kibernetike, zbatimit të ligjit dhe inteligjencës paralajmëruan për një përshkallëzim të fushatave iraniane të hakerimit që synojnë pajisjet në të gjithë infrastrukturën kritike të SHBA-së.

Duhet theksuar se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) janë shpallur zyrtarisht organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA e mori këtë vendim sepse IRGC përdor terrorizmin si mjet kryesor të politikës së jashtme të regjimit iranian.

Përveç SHBA-së, kjo organizatë është shpallur terroriste edhe nga vende të tjera si Kanadaja, Australia, Bashkimi Evropian dhe Arabia Saudite.

Edhe Kosova dhe Shqipëria kanë ndjekur të njëjtën rrugë, duke e shpallur këtë organizatë terroriste./Nacionale

Lajme të ngjashme