Lideri suprem i Iranit – një histori 27-vjeçare kundër Kosovës - NACIONALE

Lideri suprem i Iranit – një histori 27-vjeçare kundër Kosovës

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Regjimit teokratik të ajatollah Ali Khameneit po i tronditen themelet deri në shembje. Qe pesë ditë me radhë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), në kuadër të operacionit “Luani në ngjitje”, me avionë F-15 e F-16 i kanë hequr flamën pothuajse krejt kupolës së lartë ushtarake të Teheranit. Ndonëse Irani është larg me mijëra kilometra, Kosova dhe Shqipëria janë njësoj të rrezikuara nga Republika Islamike. Ç’prej 2020-s, prijësi suprem i Iranit e ka shpallur Shqipërinë “vend i vogël, por shumë djallëzor e tradhtar” (Keshvar-e Oropāyi-ye kuchak ammā besyār khā'en va sharur). Nuk mungojnë studiues që tërheqin vërejtjen se agjencia e inteligjencës iraniane, VEVAK, mund të jetë ende aktive në Kosovë. Më 1999, UÇK-ja hodhi poshtë çdo ofertë të Iranit që si synim kishte të përbirohej në luftën tonë çlirimtare. Gazeta NACIONALE sjell një histori jo shpesh të eksploruar…

Col MEHMETI

17 qershor 2025 – Interesimi i Teheranit për Kosovën, Shqipërinë dhe botën shqiptare në Ballkan i brendashkruhet periudhës së sundimit 36-vjeçar të ajatollahut, Ali Hooseini Khamenei.

Qysh prej ardhjes së tij në pushtet më 1989, si prijës suprem i Iranit, Teherani nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për t’i rrasur hundët në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Megjithëse nuk ishin as për së afërmi të suksesshëm sa në Bosnjë, iranianët i kanë kthyer vazhdimisht sytë kah Kosova.

Duke e rindërtuar historikun 36-vjeçar të këtyre përpjekjeve del se politika zyrtare e regjimit teokratik në Teheran fillimisht u orvat të ushtronte një ndikim të lehtë kulturor e ideologjik në Kosovë.

Në fillim ishte një revistë

Gjithçka nisi me të ashtuquajturën Qendër Kulturore pranë ambasadës iraniane në Beograd, e cila qe mjaft e gjallë në shpërndarjen dhe botimin e traktateve me përmbajtje islamiste.

Penetrimi iranian fillimisht u bë përmes botimit në serbisht të revistës Nur (Drita), e cila për pak kohë gjeti rrugën për të qenë në duart e qindra lexuesve në Kosovë e Maqedoni, por edhe qarkulloi në disa tarikate e teqe.

Katër numra të kësaj reviste u botuan në shqip – në faqet e saj afishoheshin shkrime prej autorësh si Morteza Motahhari, Mohammad Hossein Beheshti, Mohammad Javad Bahonar, etj.

Propaganda iraniane si duket u tokëzua më lehtë në pjesën shqiptare në Maqedoni, veçmas me hapjen e shtëpisë botuese ‘Zehra.’

Me siglën e saj u përkthyen dhe panë dritën e botimit veprat e intelektualit iranian Ali Shariati, i cili më fort sesa teolog ishte ideolog me anime të majta.

Fryt i kësaj propagande ishte edhe hapja e librarisë digjitale ‘dielli.net’, e cila hëpërhë është jashtë funksionit.

Teherani hap ambasadë në Tiranë

Përveçse nga ambasada në Beograd, Teherani i endi fijet e pëlhurës së ndikimit edhe përmes ambasadave në Zagreb, Sarajevë dhe, së mbrami, edhe me atë në Tiranë e cila u hap në shkurt të vjetit 1999.

Duke qenë se ndikimi i ideologjisë fetare merrte në thua për shkak të të qenit të saj shiite, Irani kishte para vetes një asortiment të pasur mjetesh e metodash.

Më së shumti atij i shkonin doresh “ndihmat”, për ç’arsye rrjetet agjenturore dhe diplomatike të Teheranit në maj të 1998-s krijuan një biçim qendre për ndihma që dedikoheshin për Kosovën.

Në krye të saj qe njëfarë Ajatollah Janati, i cili në prapaskenë mburrej si patron e dalazotës i boshnjakëve.

Por, Janati ishte kundërshtar i deklaruar i idesë së Kosovës së pavarur që përkrahej nga Washingtoni.

Më 8 maj 1998, Janati në një deklaratë kundërthënëse e quante përkrahjen amerikane për pavarësinë e Kosovës si fajtore për “inkurajimin e serbëve për t’i sulmuar myslimanët në Kosovë.”

1999, viti kur Irani bëri një ‘ofertë’ për Kosovën

Qysh në maj të vitit 1999, Instituti i Washingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt bënte shtjellime të hollësishme mbi qëndrimin e qeverive islamike kundrejt luftës në Kosovë.

E tillë qe edhe analiza e autorit Patrick Clawson, sipas të cilit, qysh në atë kohë “shumë arabë ndjejnë se kosovarët nuk janë myslimanë të devotshëm, ndaj ata janë më pak të prirur për ta parë çështjen (e tyre) si islamike.”

Analisti amerikan u binte mohit raportimeve, kryesisht serbe, se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës merrte mbështetje prej botës islame.

Sipas tij, edhe disa islamistë që ishin përpjekur të merrnin një rol aktiv në Kosovë, “ankoheshin për mungesë bashkëpunimi nga ana e UÇK-së.”

“Ka një dorë arsyesh pse njoftimet për përfshirje të radikalëve islamikë duhet të merren me dyshim. Është zor të përfytyrohet se ndihma për në Kosovë – e cila duhet të kalojë nëpër Shqipëri – do të mbetet e pa vënë re, duke pasur parasysh praninë e mediave ndërkombëtare dhe agjencive perëndimore të inteligjencës në Shqipëri. Dhe ka prani fare të vogël e periferike iraniane për të mbuluar dërgesa të mundshme me armë; vetëm në shkurt të 1999-s Teherani e dërgoi një ambasador në Tiranë.”

Manipulimi iranian me çështjen e Kosovës

Duke qenë se më 1999 bash Iranit i ra hisja për ta kryesuar Organizatën e Konferencës Islamike (OIC), diplomatët iranianë i shpërvolën mëngët për ta përdorur çështjen e Kosovës për hesape të tyre.

Fillimisht, iranianët llogaritën gabimthi se Perëndimi nuk do ta çante kryet për shqiptarët në Kosovë, aq më tepër të sipërmerrte një fushatë ajrore për të bombarduar Jugosllavinë e Millosheviqit.

Për këtë arsye, më 16 korrik 1998, një editorial i botuar në Tehran Times bënte thirrje që NATO dhe Organizata e Konferencës Islamike të ndërmerrnin veprime të përbashkëta kundër Millosheviqit.

Me po këtë frymë ishin edhe editoriale të tjera në shtypin iranian që shtireshin sikur janë të gatshme të bashkëpunojnë me Perëndimin për të qenë dorëzanë për të drejtat e ‘myslimanëve’ në Kosovë.

Ironikisht, kishte edhe aso shkrimesh që e kritikonin NATO-n se po vonohet për të ndërmarrë sulme ajrore kundër Jugosllavisë.

Irani kundërshtoi bombardimin e Jugosllavisë

Por, kur Amerika tok me aleatët e saj evropianë filluan për së vërteti sulmin e madh ajror kundër regjimit të Millosheviqit, Teherani e hoqi maskën e empatisë dhe shfaqi fytyrën e vet si kalkulant në shahun e madh të gjeopolitikës.

Për këtë arsye, ministri i jashtëm Iranian Kamal Kharazi në ditët e para të ptirill të 1999-s e mori në telefon barazvlerësin e tij rus, Igor Ivanov.

Si Kremlini, ashtu edhe regjimi islamik i ajatollahut, kërkonin ndërprerje të menjëhershme të fushatës së NATO-s.

Radioja Shtetërore e Iranit e shkrehu një fushatë të tërë me kritika ndaj politikës perëndimore.

Duke i komentuar ngjarjet në Kosovë pas fillimit të bombardimeve, Radioja iraniane thoshte se Amerika, Britania dhe Franca i kanë bishtnuar OKB-së sepse e dinin që Rusia dhe Kina kundërshtonin operacionet ushtarake kundër Millosheviqit.

Në këtë kohë, presidenti iranian Mohammad Khatami mbajti një fjalim tejet të dykuptimtë, me anë të të cilit përvijoi një manovër tejet të rryer.

Ndonëse sa për sy e faqe u shpreh kundër cenimit të të drejtave të ‘myslimanëve’ në Ballkan, ai shkoi deri atje sa t’i quante “ilegale” sulmet e NATO-s mbi Beogradin, madje duke pretenduar se ato nuk bëheshin për të mirën e popullit të Kosovës.

Bosnjën e morën, por UÇK-ja e sprapsi Iranin

Megjithëse i vinte mbarë investimi imazhbërës për t'u paraqitur si kampion i kauzave myslimane në Ballkan e botë, vetë Irani e pranonte se i kishte hasur sharra në gozhdë në përpjekjet e tij për t’u infiltruar brenda radhëve të rezistencës së armatosur në Kosovë.

Ministria e Jashtme në Teheran kishte mohuar se kishte dhënë armë për UÇK-në, duke argumentuar se rastet e Bosnjës dhe Kosovës ishin fundamentalisht të ndryshme.

Krejt ndryshe kishte qenë me rastin e Bosnjës ku, sipas Mohiaddin Mesbahit, “Irani luajti një rol relativisht të rëndësishëm për t’i ndihmuar boshnjakët t’i bënin ballë dominimit serb.”

Autorë të ndryshëm, si Shaul Shay, kanë vënë re prej kohësh se shërbimet e fshehta iraniane u shtrinë goxha shumë në Bosnjë.

“Agjencia iraniane e Inteligjencës (VEVAK) vepronte e papenguar në tokën boshnjake: ajo krijoi një infrastrukturë të gjithështrirë terrori, duke rekrutuar agjentë të fshehtë dhe duke zhvilluar lidhje të ngushta me estabilishmentin politik lokal”, shkruan Shaul Shay.

Qeverisë së Khatamit, sipas Roland Dannreutherit, i duhej ta baraspeshonte politikën përballë “përpjekjeve të faksioneve konservative brenda Teheranit për ta shfrytëzuar konfliktin ashtu që të ndiqej një qëndrim më i thekur antiperëndimor.”

Perritt: “Arritja mbresëlënëse e UÇK-së”

Edhe Henry H. Perritt në librin e tij Kosovo Liberation Army: The Inside Story of an Insurgency e quan arritje të mahnitshme disiplinën e UÇK-së për të mos bërë asnjë veprim që do ta zbehte mbështetjen perëndimore.

Ndër këto veprime, sipas tij, ishin shmangia e sulmeve terroriste mbi caqe civile, por edhe mbajtja paq e organizimit nga ndikimet militante islamike.

Duke mbledhur haptas të holla në Perëndim, UÇK-ja “sprapsi përpjekjet e Millosheviqit dhe simpatizuesve të tij në vendet e tjera që ta portretonin si organizatë terroriste dhe pararojë të Islamit militant. Të gjitha dëshmitë dëftojnë se UÇK-ja, ndryshe nga forcat boshnjake në Bosnjë, shmangu fundamentalistët islamikë.”

Në libër, Perritti e shembullzon këtë fitore të UÇK-së me fjalët e Bujar Bukoshit: “Ne e dinim se pranimi i ndihmës nga Irani apo Arabia Saudite do të ishte kambanë vdekje në përpjekjen tonë për t’u afruar me Perëndimin. Unë pata një ofertë nga Irani kur gjërat ishin aq të zymta sa ‘ne po kërkonim ndihmë prej eskimezëve dhe pinguinëve’. Unë e refuzova, sepse e dija që është kurth…”

Faleminderit Amerikë!

Një meritë e madhe për të shpëtuar nga ky kurth pati, afërmendsh, ShBA.

Këtë e tumir edhe Zdeněk Rod, autor i një studimi të thuktë për ndikimin iranian brenda Kosovës.

Sipas tij, “qëndrimi perëndimor, i ndikuar fuqishëm prej Shteteve të Bashkuara, doli i fituar dhe Irani e humbi pjesën e tij.”

Me akuzën kryesore të cilën diplomacia iraniane e shigjetoi kundër Washingtonit se po krijonte një rend amerikan të botës, Irani u sprovua edhe nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Në botën akademike të marrëdhënieve ndërkombëtare, Iranit i ndajvishet rregullisht cilësimi rogue state (shtet i pacipë) për të shënjuar sjelljen e tij defiante e sfiduese ndaj rendit ndërkombëtar.

Teherani me Beogradin kundër Kosovës

Historia e marrëdhënieve me shtetin e ri të Kosovës është veçse histori mohimesh e mospranimesh për ta njohur ekzistencën e shtetit të dytë shqiptar.

13 mars 2008, presidenti i asokohshëm Iranian Mahmoud Amadinejad kishte thënë se Irani ka vendosur që të mos e njohë Kosovën e pavarur, duke cituar si arsye çështjet dhe gjendjen në rajon.

Po në atë kohë, edhe ambsadori iranian në Rusi, Gholamreza Ansari, kishte shprehur brengën se, me “shkeljen” e Rezolutës 1244, po dobësoheshin organizatat ndërkombëtare.

Në vitet në vazhdim, diplomatët iranianë gjithnjë janë shprehur në mbështetje të politikës së Beogradit.

Mesazhe të tilla u tejçuan edhe nga vizita e zëvendësministrit të Jashtëm iranian Mohammed Akondzadeh në shtator 2011, me rastin e mbledhjes së të ashtuquajturës Lidhje e të Painkuadruarve në Beograd – sipas tij, Irani as nuk e kishte nijet ta njihte Kosovën si shtet sovran.

prill të vitit pasues, zëvendësminstri tjetër i Jashtëm Ramin Mehmanparast, gjatë vizitës në Beograd, bëri me dije se Irani do t’i përmbahej vendimit për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

Lufta e nëndheshme e Iranit me OJQ ose “sehirxhiu i kujdesshëm”

Shumica e studiuesve, analistëve dhe njohësve të gjeopolitikës bijnë në ujdi për një gjë – Irani nuk ia doli dot të instrumentalizonte luftën në Kosovë përmes rrjeteve të tij.

Por, kjo nuk e dekurajoi regjimin e ajatollahut për të hequr dorë përfundimisht nga këto përpjekje.

“Ndikimi i Iranit në Kosovë është i lidhur ngushtë me aktivitetet e disa OJQ-ve, të cilat, deri para do kohe, ishin nën kontrollin e qytetares kosovare Ikballe Huduti Berisha dhe shtetasit iranian Hasan Azari Bejandi”, shkruan Muhamed Ali në studimin e tij ‘Veprimtaritë e OJQ-ve islamike në sistemet politike sekulare.’

Ai vë në pah se, për shkak të veprimeve të tyre kundër Kushtetutës së Kosovës, Qeveria e Kosovës i mbylli këto organizata: Fondacionn Kur’ani, NISA, Institutin Ibn Sina, Shoqatën për Shërbime Edukative, Shoqatën Bregu i Diellit, si dhe Asociacionin Ehli Bejt-Prizren.

Duke i vlerësuar veprimet iraniane në Kosovë si të “karakterit të nëndhéshëm”, Zdeněk Rod vlerëson se shkatërrimi i rrjeteve OJQ-iste në Kosovë nuk nënkupton se Irani nuk është më aktiv.

Sipas tij, derisa Teherani e luan rolin e “sehirxhiut të kujdesshëm”, ai do të jetë aktiv edhe për shkak të bashkëpunimit të afërt ekonomik me Serbinë dhe Bosnjën.

Lideri suprem shpërthen kundër Shqipërisë

Se Irani e ka halë në sy orientimin properëndimor të Shqipërisë dhe Kosovës, kjo dëshmohet nga qëndrimet e liderit suprem iranian gjatë viteve të fundit.

Kur Amerika vrau udhëheqësin e Gardës Revolucionare Iraniane, Qasem Soleimani, tërbimi iranian pati si cak pikërisht kompasin gjeopolitik të Shqipërisë.

Në janar të 2020-s, ajatollah Khamenei e quajti Shqipërinë “vend i vogël e i ligë evropian.”

“Është një vend i vogël e i ligë në Evropë ku amerikanët po bashkëpunojnë me tradhtarët iranianë, duke komplotuar kundër Republikës Islamike,” kishte thënë ai.

Në këso vija kishte qenë edhe deklarimi i presidentit iranian, Hassan Rouhani.

Si vegëz për qëndrimet gjithnjë e më agresive të Iranit ndaj Shqipërisë kishte shërbyer strehimi i mijëra pjesëtarëve të organizatës disidente Mojahedin-e-Khalq (MEK).

Nga kjo kohë e tutje, shërbimet iraniane bënë çmos që ta kthenin tokën shqiptare në arenë aktesh makabre që do ta plagosnin pakthyeshëm lidhjen e Shqipërisë me Perëndimin dhe Izraelin.

Së andejmi, shërbimet iraniane duket se u përfshinë edhe në planifikimin e një sulmi terrorist kundër kombëtares së Izraelit në lojën e saj me Shqipërinë në Shkodër – Policia e Kosovës, më 2016, arrestoi 18 persona si të përfshirë në këtë përpjekje.

Kjo bëri që të zbuloheshin edhe celula bashkëpunëtorësh në Shkodër, Tiranë, Dobër, Elbasan e Pogradec.

Përfshirja e njerëzve të Iranit bëri që Shqipëria ta dëbonte ambasadorin e Teheranit.

Jo raketa balistike, por sulme kibernetike

Goditja më e madhe e Iranit kundër Shqipërisë ndodhi më 15 korrik 2022 kur shteti shqiptar u përball me një sulm të madh kibernetik që vinte nga Irani.

Ndonëse aksioni u mbulua nën arsyestimin se drejtohej kundër disidentëve të MEK-ut, sulmi pati si cak shërbimet publike, regjistrat shtetërorë dhe komunikimet e qeverisë.

Kjo bëri që, në shenjë kundërpërgjigje, Shqipëria të shkëpuste fare lidhjet diplomatike me Iranin.

Sipas Steven R. Wardit, njohës i shërbimeve inteligjente iraniane, një nga pikat më të forta të Iranit janë aftësitë e tij në truallin e kibernetikës.

Ai e ilustron këtë edhe me një ngjarje në fund të 2021-s.

Asokohe, Turqia e arrestoi një ish-oficer ushtarak iranian, kurse Irani përshkallëzoi gjithë egërsi me një fushatë kibernetike kundër Ankarasë duke aktivizuar grupin e kiberspiunazhit të quajtur MuddyWatter. /Nacionale/

Lajme të ngjashme