Sipas një raporti, Irani ekzekutoi tri gra për një ditë - NACIONALE

Sipas një raporti, Irani ekzekutoi tri gra për një ditë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet ekzekutuan tri gra të mërkurën për vrasjen e burrave të tyre, sipas një organizate për të drejtat e njeriut.

Sipas Grupit Iranian për të Drejtat e Njeriut, këto gra ishin në mesin e 32 personave të ekzekutuar vetëm për një javë.

Një ish-nuse fëmijë, e dënuar për vrasjen e bashkëshortit me të cilin ishte martuar në moshën 15-vjeçare, ishte në mesin e personave të ekzekutuar.

Besohet se autoritetet iraniane e kanë shpeshtuar përdorimin e dënimit me vdekje, duke ekzekutuar dyfish më shumë njerëz deri më tani këtë vit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Grupet për të drejtat e njeriut raportojnë se Irani gjithashtu ekzekuton më shumë gra se cilido shtet tjetër. Shumica prej tyre besohet se janë shpallur fajtore për vrasjen e burrave të tyre.

Të mërkurën, Grupi Iranian për të Drejtat e Njeriut tha se ish-nusja fëmijë, Soheila Abadi, është varur në burg pas dënimit për vrasjen e bashkëshortit me të cilin ishte martuar para dhjetë vjetëve, kur ishte 15-vjeçare.

Aktivistët thonë se shumë prej rasteve përfshijnë akuza për dhunë në familje, por gjykatat iraniane shpesh nuk e marrin parasysh këtë.

Shifrat e sakta të personave të ekzekutuar nuk dihen, sepse autoritetet iraniane nuk njoftojnë zyrtarisht për secilin rast të zbatimit të dënimit me vdekje.

Sipas një hulumtimi të publikuar në prill nga dy grupe për të drejtat e njeriut, vetëm 16.5 për qind e ekzekutimeve, që besohet se janë kryer në Iran vitin e kaluar, janë njoftuar nga zyrtarët.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, këtë javë e akuzoi Iranin se ka kryer një varg ekzekutimesh në muajt e fundit, duke raportuar për më shumë se 250 ekzekutime në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, më shumë se dyfishi I numrit të të ekzekutuarve në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Besohet se në mesin e personave të ekzekutuar ka shumë pakica etnike. Ndonëse përbën vetëm rreth 5 për qind të popullsisë së Iranit, pakica Baluchi përbën mbi 20 për qind të personave të ekzekutuar këtë vit, sipas organizatës “Amnesty International”./Nacionale

Lajme të ngjashme