ShBA-ja vendosi raketa “Patriot” në raketahedhës mobilë në Katar, kur u rritën tensionet me Iranin - NACIONALE

ShBA-ja vendosi raketa “Patriot” në raketahedhës mobilë në Katar, kur u rritën tensionet me Iranin

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Forcat amerikane në bazën më të madhe ushtarake të ShBA-së në Lindjen e Mesme, “al-Udeid” në Katar, vendosën raketa në raketahedhës në kamionë, kur tensionet me Iranin u rritën nga janari, sipas analizës së pamjeve satelitore, që do të thotë se ato do të mund të lëvizeshin më shpejt.

Vendimi për t’i mbajtur raketat “Patriot” në kamionë të lëvizshëm e jo në stacione hedhëse gjysmëstatike – që do të thotë se raketat do të mund të dislokoheshin shpejt për të sulmuar ose për t’u lëvizur në mënyrë mbrojtëse në rast të një sulmi nga Irani – tregon se si ishte shtuar rreziku me ngritjen e tensioneve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një krahasim i fotografive satelitore që janë bërë në fillim të shkurtit me disa të tjera që ishin shkrepur në janar tregon një grumbullim të aeroplanëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake në mbarë rajonin, tha William Goodhind, analist i pamjeve forenzike në kompaninë “Contested Ground”.

Sipas tij, në bazën “al-Udeid”, raketat “Patriot” ishin të dukshme, të montuara në kamionët M983 HEMTT në fillim të shkurtit.

“Vendimi për ta bërë këtë u jep raketave “Patriot” lëvizshmëri shumë më të madhe, që do të thotë se ato mund të zhvendosen në një vend alternativ ose të ripozicionohen me shpejtësi më të madhe” – tha Goohind.

Të martën nuk ishte e qartë nëse raketat e tipit “Patriot” ndodheshin ende në kamionët M983 HEMTT. Një zëdhënës i Pentagonit nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin për shkak të programeve raketore e bërthamore të vendit aziatik, mbështetjes për grupet aleate në Lindjen e Mesme dhe shtypjes së pakënaqësisë së shprehur në formë të protestave, edhe pse po vazhdojnë bisedimet për shmangien e një konflikti të armatosur.

Shtetet e Bashkuara kanë baza ushtarake edhe në Irak, Jordani, Kuvajt, Arabi Saudite, Katar, Bahrejn, Emirate të Bashkuara, Oman, Turqi dhe në Diego Garcia në Oqeanin Indian.

Rojat Revolucionare të Iranit kanë paralajmëruar se në rast të ndonjë sulmi ndaj territorit iranian, kjo forcë mund të hakmerret kundër ndonjë baze ushtarake amerikane./Nacionale

Lajme të ngjashme