ShBA-ja “thellësisht e trazuar” nga planet për zgjerimin e vendbanimeve izraelite
Qeveria izraelite i ka çuar përpara planet për rreth 5 mijë e 700 shtëpi të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ky njoftim ka ardhur pavarësisht nga presioni i Shteteve të Bashkuara për ta ndalur zgjerimin e vendbanimeve, që e shohin si pengesë për paqe me palestinezët.
Një zëdhënës amerikan tha se Uashingtoni ishte “thellësisht i trazuar” nga ky zhvillim, raporton televizioni BBC.
Katër ardhës izraelitë u qëlluan për vdekje nga palestinezët javën e kaluar, duk nxitur dhunë për disa ditë nga ardhësit.
Dhuna mes palestinezëve dhe izraelitëve është shtuar që nga rizgjedhja në krye të qeverisë e kryeministrit Benjamin Netanyahu vitin e kaluar.
Koalicioni i tij nacionalist e religjioz është zotuar se do ta zgjerojë praninë e tij në Bregun Perëndimor.
Sipas grupit izraelit kundër zgjerimit të vendbanimeve, “Peace Now”, në gjashtë muajt e fundit janë shtuar edhe mbi 13 mijë shtëpi në atë territor, rreth tri herë më shumë se gjatë tërë vitit të kaluar.
“Qeveria izraelite po na shtyn drejt një ritmi të pashembullt drejt aneksimit të plotë të Bregut Perëndimor”- thuhet në një deklaratë të kësaj organizate.
Shumica e shteteve i cilësojnë ilegale sipas së drejtës ndërkombëtare vendbanimet e ndërtuara në tokën e pushtuar nga Izraeli në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967, edhe pse Izraeli nuk pajtohet me këtë vlerësim.
Një zëdhënës amerikan i sigurisë kombëtare e dënoi zgjerimin e vendbanimeve, duke thënë se ky veprim “e minon zbatueshmërinë gjeografike të zgjidhjes me dy shtete, i përkeqëson tensionet dhe e dëmton më tej besimin mes dy palëve”.
Në planin e ri përfshihen një mijë shtëpi shtesë në vendbanimin Eli, të njoftuar nga qeveria pas vrasjes së katër izraelitëve javën e kaluar nga palestinezë të armatosur atje.
Grupe të ardhësve izraelitë sulmuan fshatra palestineze pas sulmit. Disa shtëpive iu vu flaka dhe një palestinez u vra.
Në fundjavë, udhëheqësit e ushtrisë, policisë dhe shërbimit izraelit të sigurisë, Shin Bet, lëshuan një deklaratë të përbashkët të pazakontë, në të cilën e dënuan marrjen e ligjit në dorë nga grupet e ardhësve.
Ky veprim nxiti reagim të ashpër nga anëtarët e së djathtës ekstreme në koalicionin qeveritar.
