Izraeli vret me dron tre militantë palestinezë në Bregun Perëndimor
Tre militantë palestinezë janë vrarë nga një sulm i rrallë i forcave izraelite me dron në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se vuri në shënjestër “një celulë terroriste brenda një automjeti të dyshimtë” që kishte kryer një sulm me të shtëna afër Jalamas të mërkurën në mbrëmje, raporton televizioni BBC.
Sipas ushtrisë izraelite, ky ishte sulmi i parë i këtij lloji në Bregun Perëndimor që nga viti 2006.
Ekipet palestineze të emergjencave thanë se gjetën tre trupa në një veturë të djegur, por se ushtarët e parandaluan nxjerrjen e tyre.
Agjencia palestineze e lajmeve, “Wafa”, i identifikoi këta tre persona si Mohammed Bashar Uweis, 28 vjeç, Suhayb Adnan al-Ghoul, 27 vjeç, dhe Ashraf Murad Saadi, 17 vjeç, dhe tha se të gjithë ishin nga qyteti i Jeninit.
Xhihadi Islamik Palestinez tha se Ghouli dhe Saadi ishin luftëtarë të këtij grupi, ndërsa Uweisi nga Brigada e Martirëve të Al-Aqsas, krah i armatosur i lëvizjes “Fatah”.
Xhihadi Islamik Palestinez i paralajmëroi udhëheqësit izraelitë se “do të bartin përgjegjësi për vendimin e tyre të çmendur për t’i sulmuar këta operativë me dronë dhe... për t’i mbajtur trupat e tyre”.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, në rrjete sociale tha: “Ne do të marrim një qasje sulmuese dhe proaktive kundër terrorit, do t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicionin tonë dhe do ta nxjerrim çmimin më të rëndë nga secili terrorist.”
Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se ushtarët e tyre identifikuan një automjet në të cilin ndodheshin personat e armatosur që kishin kryer një sulm me armë në një pikë kontrolli afër Jalamas, qytezë rreth 3,5 kilometra në veri të Jeninit.