Sekretari i NATO-s paralajmëron kundër përçarjes mes Evropës e Amerikës - NACIONALE

Sekretari i NATO-s paralajmëron kundër përçarjes mes Evropës e Amerikës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i paralajmëroi të enjten vendet anëtare kundër lejimit të një çarjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, përderisa po shtohet shqetësimi për zotimin e Uashingtonit ndaj aleatëve, nëse ish-presidenti Donald Trump kthehet në pushtet.

“Unë e mirëpres (faktin) që aleatët evropianë po investojnë më shumë në mbrojtje dhe NATO-ja ka bërë thirrje për këtë për shumë, shumë vjet” – tha Stoltenbergu para gazetarëve në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, ku po udhëheq një takim të ministrave të mbrojtjes të shteteve anëtare, raporton agjencia “Associated Press”.

“Por kjo nuk është alternativë për NATO-n. Kjo në të vërtetë është një mënyrë për ta fuqizuar NATO-n dhe ne nuk duhet të ndjekim asnjë rrugë që tregon se po mundohemi ta ndajmë Evropën nga Amerika e Veriut” – shtoi zyrtari i lartë.

Javëve të fundit ka pasur fjalë për zhvillimin e një ombrelle bërthamore të Evropës. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – aleate e palëkundur e ShBA-së që e sheh NATO-n si organizatë kyçe botërore të sigurisë – janë të vetmet fuqi bërthamore të Evropës.

Franca e ka parë veten tradicionalisht si kundërpeshë e ndikimit të ShBA-së në NATO. Ky shtet evropian nuk merr pjesë në grupin e NATO-s për planifikim bërthamor.

“NATO-ja ka një parandalues bërthamor dhe ai ka funksionuar me dekada. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë për ta minuar atë. Kjo vetëm do të krijojë më shumë paqartësi dhe më shumë hapësirë për llogaritje të gabuar e keqkuptime” – tha më tej Stoltenbergu.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, këmbëngul që vendi i tij duhet ta mbajë pavarësinë, kur bëhet fjalë për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Megjithatë, ai në dhjetor tha se Franca ka “përgjegjësi shumë të veçantë” si fuqi bërthamore në Evropë dhe “qëndron pranë” aleatëve të saj e partnerëve evropianë.

Fjalët për një ombrellë bërthamore evropiane kanë ardhur, mes të tjerëve, edhe nga disa deputetë gjermanë të Parlamentit Evropian. Sidoqoftë, kancelari Olaf Scholz dhe zyrtarë të tjerë të lartë të politikave të sigurisë besojnë se nuk ka alternativë për ombrellën bërthamore të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, e ka hedhur poshtë debatin për armë bërthamore evropiane, duke thënë se ky është “diskutim kompleks” në të cilët nuk duhet futur për shkak të komenteve nga një kandidat që është në fushatë zgjedhore.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme