Së paku 11 të vdekur nga zjarri në një qendër tregtare në Karaçi
Të paktën 11 persona kanë vdekur e 35 të tjerë janë lënduar nga zjarri në një qendër tregtare në kryeqytetin tregtar të Pakistanit, Karaçi, thanë zyrtarët pakistanezë.
Më shumë se 60 persona ndodheshin brenda objektit, kur zjarri shpërtheu në katin e katërt të ndërtesës 6-katëshe në qytetin jugor bregdetar, raporton gazeta “The Guardian”.
“Punëtorët tanë të shpëtimit kanë marrë 11 trupa të vdekur deri më tani”- tha Shahid Hussaini, zëdhënës i organizatës “Chippa”, që menaxhon një shërbim shpëtimi.
Ai shtoi se 35 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa shtatë prej tyre janë në gjendje serioze. “Të paktën 40 persona janë shpëtuar”- tha më tej Hussaini.
Shabbir Ali, zëdhënës i Ministrisë provinciale të Shëndetësisë, i konfirmoi shifrat e të vdekurve dhe të të lënduarve.
Hussaini tha se zjarri ishte nisur nga një lidhje e shkurtër në gjenerator dhe më pas ishte shpërndarë për të përfshirë dy kate të ndërtesës.
Ligjet e dobëta të sigurisë dhe rregullat e ndërtimit, si dhe zbatimi i dobët i tyre nënkuptojnë që zjarret në ndërtesa të mëdha janë të shpeshta në Pakistan.
Në vitin 2012, të paktën 250 punëtorë kishin vdekur në një fabrikë rrobash në Baldia, kur një zjarr e kishte përfshirë objektin.
Në prill të këtij viti, një zjarr shpërtheu në një fabrikë rrobash, duke lënë katër zjarrfikës të vdekur.
Në gusht të vitit 2021, të paktën dhjetë persona vdiqën nga zjarri në një fabrikë të lëndëve kimike në qytetin e njëjtë.
