Kaos vdekjeprurës në Pakistan, tollovi e madhe për ndihma ushqimore
7-vjeçari Saad Umer u fut në turmën e njerëzve në një lagje të varfër të qytetit pakistanez, Karaçi, duke u ngutur për të marrë miell falas dhe ca para nga një organizatë bamirëse, e cila po mundohet që t’i ndihmojë të varfrit, kur çmimet kanë dalë nga kontrolli.
Megjithatë, në grumbullin e njerëzve shpërtheu një rrëmujë dhe disa njerëz ranë, raporton agjencia “Reuters”.
Saad-i dhe dhjetë të tjerë, të gjithë gra dhe fëmijë, u mbytën në rastin më të ri të një vargu tollovish vdekjeprurëse për ushqim, kur Pakistani po ballafaqohet me krizën më serioze ekonomike në vitet e fundit.
“Ai ishte fëmijë i bukur. Kurrë nuk do t’ia dal mbanë me vdekjen e tij sa të jem gjallë”- tha babai i djaloshit, Umer Zada.
Ai tha se shpërndarja e ndihmave do të duhej të ishte më mirë e organizuar, me mbikëqyrje të policizë ndaj të uriturve, të cilët me dëshpërim po kërkojnë ndihma.
“Nuk kishte rregulla ose rregullore, kur djali im u shtyp”- shtoi babai i pikëlluar.
Javën e kaluar, në një incident tjetër, policia hodhi gaz lotsjellës në përpjekje për të kontrolluar një turmë të tërbuar të njerëzve, të cilët po mundoheshin t’i kapnin ndihmat në një pikë në provincën Kyber Paktunkwa.
Në përgjithësi, 16 persona janë vrarë gjatë tollovive në pikat e shpërndarjes së ndihmave, duke e tmerruar Pakistanin, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, kohë e dhurimit dhe e reflektimit shpirtëror.
Sidoqoftë, pafuqia ekonomike këtë vit duket se po e gërryen aftësinë e shoqërisë për t’u ballafaquar me situatën.
Faktorët globalë e kanë përkeqësuar inflacionin, përderisa shteti me 220 milionë banorë po mundohet që të arrijë një marrëveshje për të dalë nga borxhi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Çmimet janë ngritur edhe nga dobësimi i valutës, rritja e taksave të energjisë dhe shtrenjtimi i pazakontë i ushqimit gjatë Ramazanit.

Muajin e kaluar, inflacioni në Pakistan arriti në nivel rekord prej 35 për qind. Inflacioni i ushqimit në mars ishte 47,1 për qind në zonat urbane, ndërsa 50,2 për qind në zonat rurale.
Ansar Burney, drejtor i organizatës “Ansar Burney Trust”, tha: “Donacionet janë pakësuar për 50 për qind këtë vit, ndërsa numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë është rritur për 50 për qind.”