Raportohet se të paktën 6 mijë fëmijë ukrainas po mbahen në Rusi për "riedukim politik"
Në një raport të publikuar së fundmi, të mbështetur nga ShBA, thuhet se Rusia është duke mbajtur të paktën 6,000 fëmijë ukrainas, ndoshta dhe më shumë nëpër vende, ku qëllim kryesor është “riedukimi politik”.
Studiuesit nga Universiteti Yale, kanë identifikuar të paktën 43 kampe dhe objekte të tjera në Krimenë e kontrolluar nga Rusia dhe në Rusi, ku fëmijët ukrainas janë mbajtur si pjesë e një "rrjeti sistematik në shkallë të gjerë" të operuar nga Rusia që nga pushtimi i saj në Ukrainë vitin e kaluar.
Sipas raportit, fëmijët e mbajtur në këto vende përfshijnë ata me prindër ose kujdestarë të qartë të familjes, fëmijë që nga Rusia konsideroheshin jetimë dhe fëmijë të tjerë që ishin nën kujdesin e institucioneve shtetërore ukrainase përpara pushtimit.
Në këtë raport, sipas The Guardian më tej thuhet se disa nga këta fëmijë ishin zhvendosur përmes sistemit dhe janë birësuar nga familje ruse apo janë transferuar në kujdestari ruse.
Bëhet e ditur se fëmija më i vogël i identifikuar që mbahet në këto kampe, ishte katër mujash, ndërsa në disa kampe fëmijëve deri në 14 vjeç po u jepeshin edhe trajnime ushtarake.
Nathaniel Raymond, një nga studiuesit, duke folur në një konferencë, është shprehur se “ajo që dokumentohet në këtë raport është një shkelje e qartë e Konventës së 4-të të Gjenevës.”
Ai gjithashtu ka thënë se mund të jetë provë se Rusia ka kryer gjenocid gjatë luftës së saj në Ukrainë, pasi transferimi i fëmijëve për qëllime të ndryshimit ose eliminimit të identitetit kombëtar mund të përbëjë një akt përbërës të krimit të gjenocidit.

