NATO thotë se Putini nuk do paqe, po përgatitet për më shumë luftë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u ka kërkuar anëtarëve të aleancës ushtarake transatlantike që të rrisin prodhimin e municioneve për Ukrainën, pasi paralajmëroi se Vladimir Putin po përgatitej për ofensiva dhe sulme të reja.
“Ne nuk shohim asnjë shenjë se presidenti Putin po përgatitet për paqe. Ajo që ne shohim është e kundërta, ai po përgatitet për më shumë luftë, për ofensiva të reja dhe sulme të reja,”- ka thënë Jens Stoltenberg të martën.
Duke folur përpara një takimi dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg tha se çështja e furnizimit me avionë luftarakë në Ukrainë ishte në rendin e ditës, por "jo çështja më urgjente tani".
Në vend të kësaj, ai ka shtuar se, "çështja urgjente tani është të realizohet ajo që gjithmonë është premtuar", domethënë automjetet e blinduara, duke përfshirë gjermanët Marders dhe Bradleys, tanket amerikane, tanket e betejës Leopard dhe të tjera.
“Ne kemi nevojë për trajnime, kemi nevojë për pajisje, ne kemi nevojë për municione dhe kjo është pikërisht ajo që aleatët po ofrojnë tani dhe do të jetë një çështje kryesore në takimet e sotme këtu në NATO.”
Ndërsa, në komente të veçanta të hënën, Stoltenberg tha: “Ne jemi në një garë logjistike. Aftësitë kryesore si municioni, karburanti dhe pjesët rezervë duhet të arrijnë në Ukrainë përpara se Rusia të marrë iniciativën në fushën e betejës."
Vendet e NATO-s e kanë furnizuar Ukrainën me municion nga rezervat e tyre, por furnizimet po pakësohen, duke vënë nën tendosje industritë e mbrojtjes perëndimore. Sipas NATO-s, koha e pritjes për municione të kalibrit të madh është rritur nga 12 në 28 muaj, që do të thotë se porositë e bëra nuk do të dorëzoheshin deri në verën e vitit 2025.

