Raportohet se Sunaku gjatë pandemisë kishte thënë: “Thjesht lini njerëzit të vdesin”
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, gjatë një seance të hënën rreth hetimit për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në Britani, u citua të kishte thënë se Qeveria duhet “vetëm t’i lërë njerëzit të vdesin” gjatë pandemisë e jo të vendoste mbyllje të dytë të vendit.
Patrick Vallace, i cili ishte krykëshilltar shkencor qeveritar gjatë pandemisë, kishte lënë një shënim në ditarin e tij më 25 tetor 2020 për një takim ku kishin marrë pjesë kryeministri i atëhershëm britanik, Boris Johnson, dhe Sunaku, atëherë ministër i Financave, raporton agjencia “Reuters”.
Në ditarin e paraqitur në hetim tregohet se si Dominic Cummings, këshilltari më i lartë i Johnsonit gjatë pandemisë, i kishte treguar Vallace-s për atë që ai tha se kishte dëgjuar në takim.
Vallace e citoi Cummings-in në ditarin e tij të kishte thënë: “Rishi [Sunak] mendon thjesht lini njerëzit të vdesin dhe kjo është në rregull. E tërë kjo duket si mungesë totale e lidershipit.”
Një zëdhënës i Sunakut tha se kryeministri do ta paraqesë pozicionin e tij, kur të japë dëshmi në hetim, e jo “t’i kundërpërgjigjet secilit copë-copë”.
Përmes këtij hetimi po ekzaminohet reagimi qeveritar ndaj pandemisë së koronavirusit që kishte mbyllur pjesë të mëdha të ekonomisë dhe kishte shkaktuar mbi 220 mijë viktima në Britani. Hetimi pritet të zgjasë deri në verën e vitit 2026.
Disa zyrtarë të lartë qeveritarë vazhdimisht kanë thënë se Qeveria ishte e papërgatitur për pandeminë dhe një kulturë “toksike” e kishte penguar reagimin ndaj kësaj krize shëndetësore.
Në dëshmi të mëparshme Sunaku është përshkruar si “Dr. Vdekja” nga një këshilltar shkencor qeveritar për shkak të politikës së tij “Ha jashtë për të ndihmuar” gjatë verës së vitit 2020, me të cilën ishin subvencionuar ushqimet në restorante por që ishte kritikuar nga ekspertët shëndetësorë për shpërndarje të virusit.