Dialogu Strategjik me ShBA-në mbetet i pezulluar, opozita e shqetësuar: Kurti po e izolon Kosovën
Nisja e Dialogut Strategjik ndërmjeti Serbisë dhe ShBA-së ka shqetësuar opozitën. Zyrtarët e partive opozitare kanë bërë me dije se derisa vendet e rajonit po e fillojnë këtë proces dhe po i forcojnë lidhjet me ShBA-të, Kosova po ngec në këto raporte.
Për një gjë të tillë ata kanë bërë përgjegjës kryeministrinë në detyrë Albin Kurti.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për izolim të Kosovës.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga i pari i Qeverisë për raportet e Kosovës me ShBA-në.
Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar se raportet e Kosovës më ShBA-të janë në piken më të ulët.
“Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën. Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh. Në tavolinë janë marrëveshje për energjinë dhe sigurinë energjetike, investime në infrastrukturë, zhvillimin e rrjetit 5G, bashkëpunimin në mbrojtje dhe industrinë ushtarake, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe projekte të përbashkëta afatgjata. Ndërkohë, mesazhi për Kosovën ishte krejt i kundërt! Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Dialogu Strategjik me Kosovën mbetet i PEZULLUAR!!!!”, ka shkruar ai, duke dhënë detaj tjera.
“Ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier paralajmëroi se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze dhe se qeveria e ardhshme duhet t’i adresojë prioritetet amerikane, përfshirë projektet e diversifikimit energjetik. Këto janë qëndrime zyrtare të aleatit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe, si të tilla, janë shumë shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prandaj, Kryeministri i Kosovës ka detyrim t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë. Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë? Si ka mundësi që marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë më të madh strategjik, ka arritur në pikën më të ulët që kanë njohur ndonjëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së?”, ka shkruar ai.
Edhe deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka vlerësuar se fajtor për këtë izolim të Kosovës është Qeveria Kurti.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka bërë me dije se derisa Serbia sot pritet në nis këtë dialogu, DASh-i i ka vendosur kushte Kosovës për këtë proces.
“Ky është bilanci i vërtetë i politikës së jashtme të Albin Kurtit: Serbia nis Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Kosovës i vendosen kushte për ta filluar atë! Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverisjeje që ka dëmtuar besimin me aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik dhe e ka futur vendin në një izolim të panevojshëm ndërkombëtar. Kur SHBA-ja kërkon fillimisht përmbushjen e zotimeve dhe rikthimin e kushteve për bashkëpunim, është e qartë se Kosova nuk po trajtohet më si partneri i besueshëm që ishte dikur. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për izolimin ndërkombëtar në të cilin e ka futur vendin dhe të rikthejë besimin e humbur me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë. Interesi i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak”, ka shkruar ajo.
Në ditën që Serbia do të fillojë këtë proces me ShBA-në, Departamentit Amerikan të Shtetit ia ka rikujtuar Kosovës se ky proces do të rifillojë vetëm pasi të krijohen kushtet.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASh ka vlerësuar se këto kushte parashohim përmbushjen e obligimeve të institucioneve ndaj serbëve të Kosovës.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, është thënë në përgjigje.
Ky rikujtim për Kosovën vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, ka vlerësuar DASh-i.