Raporti i Platformës së KiE-së: Kosova me rënie të lirisë së mediave, përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen
Kosova ka shënuar rënie të qartë të lirisë së mediave në tri vitet e fundit, sipas raportit të Platformës së Këshillit të Evropës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetëve.
Delegacioni ndërkombëtar, i përbërë nga tetë organizata mediatike, vizitoi Prishtinën më 24-26 mars 2026 dhe tek sot u publikua raporti 20 faqësh me gjetjet.
Raporti thekson se "disa standarde të lirisë së mediave janë cenuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje."
Aty përfshihet edhe lajmi i rremë në RTK përmes një tabloidi me bazë në Bosnje-Hercegovinë “Slobodna Bosna,” ku me urdhër të Rilind Gërvallës, drejtorit të emërurar nga Vetëvendosje në RTK, sulmohen dhe shpifet ndaj gazetës Nacionale dhe Periskopit për gjoja “të financuara nga Serbia.”
“Për më tepër, delegacioni vëren gjithashtu rastin në vazhdim që lidhet me publikimin e një raporti nga RTK me bazë në një medie nga Bosnja dhe Hercegovina pa verifikim paraprak, i cili pretendonte se dy media online, Nacionale dhe Periskopi, ishin financuar nga Serbia. Raportimi shkaktoi një reagim të madh nga partia në pushtet dhe mbështetësit e saj, të cilët i bënë thirrje prokurorisë t’i hetojë të dy mediat.
Vendimet pasuese nga KPM-ja, Këshilli i Mediave të Shkruara dhe një hetim i brendshëm i RTK-së zbuluan se RTK nuk e kishte verifikuar informacionin dhe arriti në përfundimin se raportimi shkelte standardet etike profesionale. RTK më vonë publikoi një reagim bazuar në vendimin e KPM-së. Media online Nacionale ka ngritur një padi për shpifje kundër RTK-së, me seancën e parë dëgjimore të mbajtur më 5 maj 2026. Gjykimi i rastit është ende në vazhdim e sipër."
Kosova ka rënë 28 vende që nga 2023 në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave, tani në vendin e 84-të nga 180 shtete,”
Kosova ka rënë 28 vende që nga 2023 në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave, tani në vendin e 84-të nga 180 shtete.
Kryeministri Albin Kurti u kritikua drejtpërdrejt për retorikën ndaj gazetarëve gjatë takimit me delegacionin.
Ai citohet aty t’i ketë thënë një gazetarës së Klan Kosovës "thoni pronarëve të medias suaj t'i kthejnë milionat në buxhetin publik."
Në një rast tjetër, Kurti përshkroi mediat online si pjesë e një "Trekëndëshi të Bermudës" që synon fundosjen e Kosovës.
Zyra e tij iu përgjigj delegacionit me shkrim se "Ai (Kurti) kurrë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetarëve."
Megjithatë, delegacioni vëren se Kryeministri "nuk bëri asnjë zotim konkret" për t'iu përmbajtur gjuhës përçmuese ndaj gazetarëve.
AGK regjistroi 69 raste sulmesh ndaj gazetarëve në 2025, shumica denigrim nga zyrtarë publikë.
Ligji i kontestuar për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar nga Kuvendi në 2024, u shpall antikushtetues në prill 2025.
Gjykata Kushtetuese vendosi se dispozitat për zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve cenonin pavarësinë e KPM-së.
Procesi i mëvonshëm i emërimit të bordeve të RTK-së dhe KPM-së, në prill 2026, u konsiderua po ashtu i kompromentuar.
Delegacioni thotë se emërimet "duhet të shihen si një vazhdim i së njëjtës qasje" që shkaktoi ndërhyrjen e gjykatës.
RTK vazhdon të vuajë financiarisht: parlamenti miratoi vetëm 8.96 milionë euro në 2025, më pak se gjysma e paraparë me ligj.
Zyra e Kryeministrit e kundërshtoi këtë, duke thënë se "ky detyrim ligjor ka skaduar."
Delegacioni "i qëndron pohimit se ligji aktual për RTK-në është ende i zbatueshëm."
Gazetarë të RTK-së raportuan procedura disiplinore dhe suspendime pas refuzimit të lajmeve të "porositura".
Drejtori aktual televiziv i RTK-së është ish-donator i VV-së, fakt që gazetarët e lidhin me shqetësimet për pavarësinë editoriale.
Anëtarë të lartë të VV-së kanë propozuar edhe rikriminalizimin e shpifjes, gjë që delegacioni e refuzon fuqishëm.
Raporti konkludon se qeveria e ardhshme "duhet të bëjë punë të konsiderueshme" për të rikthyer besimin demokratik.