Raportohet se Irani porositi në Kinë material që mund të prodhojë rreth 800 raketa balistike
Irani ka porositur në Kinë sasi të madhe të materialeve për prodhimin e raketave balistike, sipas një raporti të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, në të cilin thuhet se Republika Islamike po synon që rindërtojë ushtarakisht veten dhe rrjetin e vet të forcave prokura në rajon.
Raporti erdhi në kohën e vazhdimit të bisedimeve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat filluan në prill. Izraeli e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se nuk do t’i sulmojë qendrat bërthamore të Iranit, përpos nëse bisedimet dështojnë, sipas një raporti tjetër të mediumit amerikan “Axios”.
Në raportin e gazetës “The Wall Street Journal”, në të cilin citohen persona të afërt me transaksionin, thuhet se Teherani ka porositur sasi të mjaftueshme të perkloratit të amoniumit për të prodhuar potencialisht deri në 800 raketa. Ky material përdoret për të prodhuar raketa që funksionojnë me karburant të ngurtë.
Thuhet se materiali i porositur do të arrijë në Iran muajve të ardhshëm. Gazeta amerikane tha se për këtë dërgesë është arritur marrëveshje “muaj më parë, me gjasë para” njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në muajin mars se ai i kishte premtuar bisedime bërthamore liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Perklorati i amoniumit u porosit nga një entitet Iranian i quajtur “Pishgaman Tejarat Rafi Novin Co.” nga kompania me bazë në Hong Kong, “Lion Commodities Holdings Ltd.”, raporton gazeta amerikane. Në raport më tej thuhet se entiteti “Pishgaman” nuk mund të arrihej për koment dhe drejtori i kompanisë “Lion Commodities” nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Një zyrtar i cituar në raport tha se një pjesë e perkloratit të amoniumit pritet t’u dërgohet grupeve prokura pro-iraniane si rebelët Houthi të Jemenit, të cilët disa herë kanë kryer sulme me raketa balistike në drejtim të Izraelit, më së voni të enjten.
Thuhet se një pjesë e materialit do të mbetet në Iran, përderisa vendi po punon që t’i riparojë fabrikat për prodhimin e raketave që ishin dëmtuar në tetor, kur Izraeli i ishte kundërpërgjigjur sulmit të dytë të drejtpërdrejtë të Iranit rreth gjashtë muaj pas një sulmi të mëhershëm me raketa e dronë.
Nga sulmi izraelit i tetorit u shkatërruan rreth dhjetë të ashtuquajtur mikserë planetarë, të cilët shërbejnë për përzierjen e përbërësve të raketave balistike, thuhet në raportin e gazetës amerikane.
Në një raport të publikuar më herët këtë javë thuhet se Irani është gjithashtu duke punuar për ta përtërirë sistemin e mbrojtjes ajrore pas sulmeve të përsëritura të Izraelit kundër tij.
Gazeta amerikane tha se delegacioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj një kërkese për koment rreth porosisë së raportuar të perkloratit të amoniumit. Ministria e Jashtme e Kinës i tha gazetës se Pekini nuk është i vetëdijshëm për ekzistimin e një kontrate për këtë dërgesë./Nacionale