Raportohet se 183 fëmijë e 94 gra u vranë të martën në Gaza nga sulmet izraelite - NACIONALE

Raportohet se 183 fëmijë e 94 gra u vranë të martën në Gaza nga sulmet izraelite

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Së paku 91 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u lënduan në ditën e tretë të sulmeve izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës, sipas zyrtarëve mjekësorë në enklavën palestineze, të cilët thanë se një pjesë e madhe e viktimave janë gra e fëmijë.

Koha e sulmeve në ofensivën e re izraelite duket se e ka rritur përqindjen e grave dhe fëmijëve në mesin e të vrarëve, pasi shumë prej tyre ishin duke fjetur, kur raketat ranë natën ose shumë herët në mëngjes. Në mesin e atyre që u nxorën të gjallë nga rrënojat të enjten ishte një foshnjë 1-muajshe e gjinisë femërore, por prindërit dhe vëllai i saj ishin vrarë, raporton gazeta “The Guardian”.

Vala e parë e sulmeve ajrore të martën e zhbëri ndërprerjen dymujore të luftimeve dhe la të vrarë më shumë se 400 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në atë që mund të ketë qenë dita më e përgjakshme në konfliktin 18-mujor. Zyrtarët palestinezë thanë se në mesin e të vdekurve ishin 183 fëmijë e 94 gra.

Ushtria izraelite ka lëshuar paralajmërime ndaj palestinezëve që të largohen nga zonat në pjesët veriore dhe lindore të Gazës që të mos mbeten të ngujuar nga luftimet, duke lënë të kuptohet se sulmet tokësore mund të zhvillohen së shpejti, edhe pse duket se Izraeli tani për tani po mbështetet tek operacionet nga ajri.

Sulmet e së enjtes u dukën si të përqendruara në qytetet jugore, Rafah dhe Khan Younis, si dhe në qytezën veriore të Gazës, Beit Lahiya.

Një sulm ndaj një shtëpie në Abasan al-Kabira, fshat afër qytetit Khan Younis, la të vrarë të paktën 16 njerëz, shumica gra e fëmijë, sipas Spitalit Evropian, ku u pranuan trupat e të vdekurve. Në mesin e të vrarëve ishin një baba e shtatë fëmijët e tij, si dhe prindërit dhe vëllai i foshnjës 1-muajshe që mbijetoi bashkë me gjyshërit e saj. Shtëpia ndodhej brenda zonës që mbulohej nga një urdhër evakuimi i lëshuar rishtazi.

“Shtëpia u shemb mbi kokat e njerëzve” – tha Hani Awad, i cili po i ndihmonte punëtorët e shpëtimit për të kërkuar më shumë të mbijetuar.

Spitali Evropian në qytetin Rafah tha se kishte pranuar 26 trupa pas sulmeve gjatë natës, shumica gra e fëmijë. Spitali “Nasser” në Khan Younis i pranoi trupat e shtatë personave të vrarë nga një sulm ndaj një shtëpie. Në pjesën veriore të Gazës, Spitali Indonezian tha se i ka pranuar trupat e shtatë njerëzve të vrarë nga një sulm në qytezën Beit Lahiya. Nga një sulm tjetër në këtë vendbanim u vranë shumë pjesëmarrës të një funerali, thanë të mbijetuarit.

Një zëdhënës i spitalit “Martirët e Al-Aksës” në Deir al-Balah tha se 70 për qind e të lënduarve ishin gra e fëmijë dhe shumica po arrinin në gjendje kritike.

Zaher al-Wahidi, drejtor i qendrës së informacionit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza, tha se situata në të gjitha spitalet është katastrofale.

“Të lënduarit po shtrihen në tokë, gjaku po i mbulon dyshemetë e spitaleve. Po vuajmë shumë nga mungesa e furnizimeve për kujdes emergjent dhe intensive si dhe për operacione e pajisje mjekësore. Ka mungesë të madhe të stacioneve të karburantit, stacioneve të shkripëzimit, oksigjenit dhe mungesë kritike të karburanteve në spitale” – tha ai.

Në kundërpërgjigjen e tij të parë ushtarake ndaj ofensivës izraelite që nga thyerja e armëpushimit, Hamasi hodhi raketa drejt Tel-Avivit të Izraelit. Nuk u raportua për pasoja në njerëz ose dëme./Nacionale

Lajme të ngjashme