Dështimi për ta rrëzuar regjimin iranian, raportohet se shefi i Mossad-it ka larguar dy zyrtarë të lartë - NACIONALE

Dështimi për ta rrëzuar regjimin iranian, raportohet se shefi i Mossad-it ka larguar dy zyrtarë të lartë

59 minuta më parë

nga NACIONALE

Roman Gofman, i emëruar rishtazi drejtor i agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, ka larguar nga detyra dy prej zyrtarëve më të lartë të kësaj agjencie që ishin të përfshirë ngushtë në zhvillimin e një plani të pasuksesshëm për rrëzimin e regjimit Iranian, raporton televizioni izraelit “Channel 12”, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas raportit, njëri nga zyrtarët kishte shërbyer nga dhjetori si drejtor i drejtorisë së inteligjencës në Mossad, ndërsa tjetri ishte shef i divizionit për Iranin.

Televizioni “Channel 12” thotë se këta dy zyrtarë ishin në mesin e arkitektëve të një plani të shkruar operacional për rrëzimin e Republikës Islamike me ndihmën e grupeve pakicë në Iran, duke inkurajuar protesta të ringjallura masive për rrëzimin e regjimit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se e kishte diskutuar planin, kur e kishte bindur presidentin amerikan, Donald Trump, që të hynte në luftë kundër Republikës Islamike në fund të shkurtit të këtij viti.

Burimet e sigurisë që u cituan nga televizioni izraelit thanë se dy zyrtarët e shkarkuar dhe Gofmani ishin përplasur që nga fillimi, por theksuan se largimi i tyre po bëhet me marrëveshje të dyanshme si pjesë e një riorganizimi më të gjerë të Mossad-it dhe se të dy pritet të mbeten në agjenci në role të tjera.

Thuhet se në planin e Mossad-it parashiheshin sulme izraelite ndaj pozicioneve të Rojës Revolucionare përgjatë kufirit të Iranit me Irakun, në Kurdistanin iranian. Qëllimi i këtyre sulmeve do të ishte që luftëtarëve kurdë t’u hapej dera për të hyrë në Iran, sipas raportit të televizionit izraelit, dhe për të depërtuar në qytetet kurde në veriperëndim të Iranit.

Mossad-i priste që mijëra të rinj kurdë t’u bashkoheshin luftëtarëve, duke u shndërruar në një lëvizje masive që do të mund të arrinte edhe deri në Teheran. Mendohej se një gjë e tillë do të inkurajonte një lëvizje protestuese masive me miliona protestues për ta rrëzuar regjimin, sipas disa raportimeve.

Ofensiva kurde ishte një nga elementet kyçe të planit, i cili thuhet se e përfshinte edhe emërimin e ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad, si udhëheqës të Iranit.

Lajme të ngjashme