Inteligjenca artificiale përdoret për të dizajnuar viruse krejtësisht të reja - NACIONALE

Inteligjenca artificiale përdoret për të dizajnuar viruse krejtësisht të reja

1 orë më parë

nga NACIONALE

Inteligjenca artificiale është përdorur për të dizajnuar viruse krejtësisht të reja që janë plotësisht funksionale dhe mund të shumohen në laborator, thonë hulumtuesit amerikanë.

Kjo është hera e parë që gjenome të plota janë dizajnuar me sukses nga inteligjenca artificiale, raporton televizioni BBC.

16 viruset e reja u ndërtuan për të infektuar baktere dhe nuk paraqesin rrezik për njerëzit.

Ky hap është cilësuar si “pikë kthese shumë domethënëse” në shkencë që mund të nisë një epokë të re për trajtimin e sëmundjeve. Megjithatë, ekspertët gjithashtu kanë paralajmëruar se viruset e dizajnuara nga inteligjenca artificiale ngrenë shqetësime “urgjente” të sigurisë.

Veglat e inteligjencës artificiale janë duke avancuar shpejt dhe tashmë janë përdorur për të dizajnuar antibiotikë të rinj. Megjithatë, kjo është relativisht e thjeshtë në krahasim me dizajnimin e një virusi të ri funksional nga asgjëja.

“Ky është një hap i radhës në kompleksitet që është i dizajnueshëm nga inteligjenca artificiale gjenerative, kjo është hera e parë që inteligjenca artificiale gjenerative është përdorur për të dizajnuar një gjenom të plotë, është diçka që mund të shumohet dhe mund të ketë funksione të tjera brenda qelizave… Ky ishte territor i ri për ne” – tha Brian Hie, profesor asistent në Universitetin e Stanfordit.

Kjo teknologji funksionon në mënyrë të ngjashme me modelet e mëdha si ChatGPT, e cila i parashikon sekuencat e tekstit.

Në këtë rast, modelet e inteligjencës artificiale, të njohura si Evo1 dhe Evo2, e parashikojnë gjuhën e jetës e jo të fjalëve.

Modelet e inteligjencës artificiale ishin trajnuar për kodet gjenetike nga viruset, bakteret, bimët dhe njerëzit./Nacionale

Lajme të ngjashme