Shkelet Kushtetuta, Aktgjykimi, tash edhe Rregullorja: Kuvendi sot hap dyert për mërgatën në ora 12:00 - NACIONALE

Shkelet Kushtetuta, Aktgjykimi, tash edhe Rregullorja: Kuvendi sot hap dyert për mërgatën në ora 12:00

38 minuta më parë

nga NACIONALE

Kushtetuta e Kosovës, është tejkaluar në afatin e saj të përcaktuar për ndërtimin e legjislativit

Seanca konstitutive duhej të mbahej dhe konkludohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Partia Vetëvendosje e ka hapur atë në ditën e parafundit të këtij kalendari kushtetues dhe nuk ka propozuar askënd për kryetar kuvendi.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtuese KO124/25 tridhjetëditëshin e përcakton si “afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Me këto dy urdhëresa kushtetuese të shkelura, partia Vetëvendosje me sotin duket të shkelur edhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Rregullorja përcakton se kur një seancë konstitutive nuk përmbyllet, ajo duhet të vazhdojë më së largu brenda 48 orëve.

Sot kalojnë veçse dy ditë nga seanca konstitutive e kaluar, ndërsa në kalendarin e Kuvendit është lajmëruar se organi legjislativ do të jetë sot i hapur nga ora 12:00 për bashkëatdhetarët shqiptarë në diasporë.

“Lirisht le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.”

Kështu tha zyrtarja e Vetëvendosjes e betuar deputete, Albulena Haxhiu, pasi me t’u shterruar afati tridhjetëditësh kushtetues për konstituim të Kuvendit të Kosovës, thirrën seancë vijuese konstitutive.

Albin Kurti ndërpreu në ditën e parafundit seancën konstitutive, tejkaloi afatet, ndërsa edhe në afat të tejkaluar kërkoi “kohë shtesë.”

Krejt kjo duke arsyetuar se nuk ka marrëveshje politike për presidentin e vendit, afati për zgjedhjen e të cilës nis me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese këtë çështje veçse e ka të trajtuar para një viti, kur konstatoi se 30 ditësh është afati brenda të cilit “duhet të kryhet” konstituimi e jo vetëm të niset.

“Duke marrë për bazë elaborimet e mësipërme, Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Por, ky Aktgjykim s’i ka bërë përshtypje Vetëvendosjes. Ata pretendojnë se gjendja është “tërësisht kushtetuese,” siç tha Hekuran Murati.

Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës, edhe profesor i të drejtës kushtetuese, pyeti se “çfarë ka këtu për t’u interpretuar?”

“Pse duhet ta dërgojmë përsëri këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese? A ka ndokush që nuk e kupton këtë?”, shkroi ai.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka konsideruar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.

“Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale”, shkruhet në reagimin e KDI-së.

“Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme.”

“Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit.”

“Kjo kompetencë i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.

Lajme të ngjashme