Raportohet se Irani po e pret miratimin nga një organ i lartë për paktin për hapjen e Hormuzit - NACIONALE

Raportohet se Irani po e pret miratimin nga një organ i lartë për paktin për hapjen e Hormuzit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Mediumi amerikan, “Axios”, raportoi të premten se Irani është duke pritur që Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të miratojë një marrëveshje të përkohshme me Shtetet e Bashkuara dhe Omanin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe pret që drita e gjelbër të ndizet së shpejti, duke cituar një diplomat nga njëri prej shteteve ndërmjetëse.

Më herët, mediumi “MS Now” kishte raportuar se një marrëveshje kornizë ishte arritur që Irani dhe Omani ta kontrollonin në mënyrë të përbashkët rrugën kyçe ujore që Irani e ka penguar që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në fund të shkurtit, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Ky medium tha se, sipas marrëveshjes, anijet nuk do të ngarkohen me taksa për kalim transit. Megjithatë, mbështetja e Uashingtonit për marrëveshjen nuk ishte e garantuar, thuhet më tej.

Një zyrtar qeveritar iranian i paidentifikuar tha se me këtë marrëveshje do të përcaktohet një rrugë e re hyrëse e kontrolluar nga Irani dhe një rrugë dalëse e kontrolluar nga Omani.

Zyrtari i njëjtë shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Organizata Detare Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara do të jenë të përfshira në njoftimin formal të marrëveshjes, nëse ajo miratohet, edhe pse koha nuk dihet ende.

Një zyrtar amerikan citohet të ketë thënë se Uashingtoni do ta përkrahë marrëveshjen, vetëm nëse ajo nuk përfshin taksa dhe “pengesa – që do të thotë nuk duhet të ketë miratime apo leje”. Në raport nuk tregohet nëse korniza e marrëveshjes përfshin dispozita të tilla.

Duke u cituar një zyrtar qeveritar i paidentifikuar i vendeve të Gjirit, në raport gjithashtu thuhet se marrëveshja po mbështetet nga anëtarët e Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim.

Lajme të ngjashme