Raportohet për rritje të numrit të viktimave nga luftimet në Nagorno-Karabak
Dhjetëra persona raportohet të jenë vrarë dhe më shumë se 200 të tjerë të jenë plagosur në Nagorno-Karabak, pasi Azerbajxhani e nisi atë që e përshkroi si “operacion anti-terrorist” pas rritjes së tensioneve me muaj të tërë në rajonin e kontestuar të Kaukazit Jugor.
Avokati i popullit në Nagorno-Karabak, Geghan Stepanyan, tha se 27 persona, përfshirë dy civilë, janë vrarë dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur nga fillimi i sulmeve të martën. Sipas deklaratave të mëhershme të këtij zyrtari, në mesin e të vdekurve ishte një fëmijë, ndërsa në mesin e të plagosurve 11 fëmijë, raporton gazeta “The Guardian”.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Azerbajxhan tha se forcat armene kanë shtënë në Shusha, qytet në Nagorno-Karabak nën kontrollin e azerëve, duke përdorur armë të kalibrit të madh dhe duke vrarë një civil.
Asnjëri pretendim nuk mund të vërtetohej në mënyrë të pavarur.
Zyrtarët etnikë armenë në Nagorno-Karabak thanë se kryeqyteti rajonal, Stepanakert, dhe disa fshatra ishin “nën bombardim intensiv”. Ushtria e këtij rajoni tha se Azerbajxhani po përdorte aeroplanë, artileri, sisteme raketore e dronë në luftime.
Në disa pamje nga ky qytet shihen një ndërtesë banimi e dëmtuar, me dritare të thyera, si dhe disa vetura të dëmtuara pranë saj.
Banorët e Stepanakertit janë vendosur në bodrume dhe strehimore kundër bombave, ndërsa luftimet kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me rrymë. Në atë zonë po vazhdon mungesa e ushqimit, ndërsa ndihmat e kufizuara humanitare, që u dhuruan të hënën, nuk u shpërndanë për shkak të bombardimeve, të cilat vazhduan në mbrëmje, pasi ishin ndërprerë për pak kohë pasdite.
