Putini i thotë ushtrisë që ta vazhdojë fushatën për ta kapur rajonin Zaporizhia të Ukrainës - NACIONALE

Putini i thotë ushtrisë që ta vazhdojë fushatën për ta kapur rajonin Zaporizhia të Ukrainës

7 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha të hënën ushtrisë së vendit të tij që ta vazhdojë fushatën për ta marrë nën kontroll të plotë rajonin jugor ukrainas, Zaporizhia, pasi një komandant rus tha se forcat e tij ndodheshin 15 kilometra larg qytetit më të madh të këtij rajoni.

Putini i bëri këto komente një ditë pas bisedës me homologun amerikan, Donald Trump, rreth perspektivës për një marrëveshjeje të paqes në Ukrainë dhe foli në një takim të Kremlinit me komandantë të lartë ushtarakë dhe me ministrin e Mbrojtjes, Andrei Belousov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjenereal-kolonel Mikhail Teplinsky, komandant ushtarak i Rusisë për grupit e ushtarëve në Dnieper, i tha Putinit se forcat ruse tani ishin më afër qytetit Zaporizhia, i cili para luftës kishte më shumë se 700 mijë banorë.

Rajoni me të njëjtin emër, të cilin forcat ruse e kanë nën kontroll në rreth 75 për qind të territorit, është njëra nga katër provincat të cilat Putini i shpalli pjesë të Rusisë në vitin 2022, lëvizje e cilësuar si e paligjshme nga Ukraina dhe shumë shtete perëndimore.

“Njësitet [ruse] të vijës së frontit ndodhen rreth 15 kilometra nga periferia jugore e qytetit Zaporizhia” – i tha Teplinksy Putinit, i cili ia ktheu: “Ne kuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm se armiku që ndodhet drejtpërdrejt përballë jush ka qenë duke e përgatitur mbrojtjen e vet për shumë vjet dhe ne e dimë se sa e vështirë është situata atje. Sidoqoftë, ju poi a dilni që t’i përmbushni detyrat me të cilat ballafaqohet grupi.”

“Në të ardhmen, është e nevojshme që të vazhdohet ofensiva, bashkë me grupin e Lindjes për ta çliruar Zaporizhian” – shtoi presidenti rus.

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Valery Gerasimov, më herët i kishte thënë Putinit se forcat ruse ishin duke avancuar përgjatë pothuajse tërë vijës së frontit, ndërsa forcat ukrainase ishin të përqendruara në mbrojtje dhe tentativa për kundërsulm.

Gerasimovi raportoi se forcat ruse gjatë vitit 2025 kanë kapur 6.640 kilometra katror nga territori i Ukrainës, përfshirë 334 fshatra, dhe se avancimet e shënuara në dhjetor ishin më të shpejtat këtë vit.

Agjencia “Reuters” nuk mundi që t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet rreth situatës në fushën e betejës./Nacionale

Lajme të ngjashme