Putin: Kjo është hakmarrje për urën e Krimesë, vazhdoni kështu dhe përgjigja do të jetë e prerë
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Ukraina kishte kryer "sulme terroriste" ndaj Rusisë dhe nëse ato vazhdonin ai premtoi një përgjigje të fortë nga Rusia dhe Ministria e Mbrojtjes njoftoi se qëllimet e sulmeve të mëngjesit të sotëm ishin arritur.
Në një fjalim televiziv, Putin tha se "me sugjerim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në përputhje me planin e Shtabit Suprem", Moska filloi sulmet me "raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës energjetike, ushtarake dhe të komunikimit të Ukrainës" të hënën në përgjigje ndaj sulmit të fundjavës së Ukrainës në urën jetike që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë, shkruan The Guardian.
Putin: Shërbimet sekrete ukrainase urdhëruan dhe kryen një sulm terrorist në urën e Krimesë
Për Putinin, nuk ka dyshim se kush qëndron pas shpërthimit në urë.
“Është e qartë se shërbimet sekrete ukrainase urdhëruan, organizuan dhe kryen një sulm terrorist të krijuar për të shkatërruar infrastrukturën kryesore civile të Rusisë”, tha Putin për shpërthimin e urës.
Zyrtarët ukrainas festuan shpërthimin në urë, por nuk morën përgjegjësinë për të.
“Është e pamundur të lihen krime të tilla pa përgjigje”
"Me këto veprime, regjimi në Kiev e ka vënë veten në të njëjtin nivel me grupet terroriste më të urryera ndërkombëtare. Është e pamundur të lihen krime të këtij lloji pa përgjigje", tha Putin në një takim të Këshillit të Sigurimit Rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj komandës ushtarake të Ukrainës, sistemit të komunikimit dhe energjisë dhe tha: "Të gjitha objektivat e vendosura për sulmin u goditën dhe qëllimi i sulmit u arrit".
Qytetet anembanë Ukrainës mbetën pa energji elektrike dhe ujë sot pasi raketat ruse goditën dhjetëra qytete të hënën në mëngjes.
"Nëse sulmet terroriste vazhdojnë, përgjigjet ruse do të jenë të ashpra"
Rusia do të përgjigjet "me ashpërsi" ndaj çdo sulmi të ri nga Ukraina, tha Putin.
"Nëse tentativat për sulme terroriste në territorin tonë vazhdojnë, përgjigjet ruse do të jenë të mprehta dhe po aq të mëdha sa kërcënimet ndaj Federatës Ruse. Jini të sigurt për këtë", tha ai.
Putin akuzoi gjithashtu Ukrainën për përpjekje për të sulmuar një termocentral bërthamor në Rusi dhe tubacionin e gazit. Ai përsëriti, por nuk paraqiti prova se Ukraina dhe mbështetësit e saj të NATO-s qëndrojnë pas rrjedhjeve ende të pazgjidhura të gazit në tubacionet e gazit Nord Stream (1 dhe 2), të cilat transportojnë gazin rus në Gjermani nën Detin Baltik.
Sulmet e mëngjesit të sotëm në Ukrainë kërcënojnë një përshkallëzim të ri të agresionit rus kundër Ukrainës, i cili filloi më shumë se shtatë muaj më parë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet synonin qëllimisht njerëzit dhe infrastrukturën për t'i lënë qytetet pa energji, dhe kryeministri i tij tha se 11 objektiva të mëdha të infrastrukturës në tetë rajone ishin goditur, duke lënë pjesë të mëdha të vendit pa energji, ujë ose ngrohje. /Nacionale/


