Presidenti palestinez shkakton reagime të shumta me deklaratën për Holokaustin para Scholz-it në Gjermani - NACIONALE

Presidenti palestinez shkakton reagime të shumta me deklaratën për Holokaustin para Scholz-it në Gjermani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, ka shkaktuar reagime të shumta me një deklaratë që e bëri gjatë vizitës në Berlin të martën. Për deklaratën e tij reaguan kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kryeministri izraelit, Yair Lapid. Por çfarë tha presidenti palestinez?

Gjatë vizitës në Berlin, Abbas-i të martën e akuzoi Izraelin se ka kryer “50 Holokaust-e”, kur u përgjigj në pyetjen për 50-vjetorin e sulmit ndaj ekipit izraelit në Lojërat Olimpike të Mynihut.

Presidenti Palestinez u pyet nëse e kishte në plan që t’u kërkonte falje Izraelit dhe Gjermanisë për sulmin para 50-vjetorit të tij. Sidoqoftë, Abbas-i përmendi pretendime për krimet e kryera nga Izraeli nga viti 1947.

“Nëse dëshironi që t’i futemi të kaluarës, vazhdo”, tha para gazetarëve në gjuhën arabe presidenti palestinez.

“Unë kam 50 masakra që i ka kryer Izraeli… 50 masakra, 50 Holokauste”, tha ai, duke e thënë fjalën e fundit në gjuhën angleze.

Kancelari gjerman shprehu neveri të mërkurën për deklaratën e presidentit Palestine, për të cilën tha se e zvogëlon rëndësinë e Holokaustit.

“Për ne gjermanët në veçanti, çfarëdo relativizimi i veçantisë së Holokaustit është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Jam i neveritur nga deklarata mizore e bërë nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas", shkroi kancelari gjerman.

Sidoqoftë, ai nuk reagoi gjatë konferencës së përbashkët për medie, duke nxitur kritika. Mediet gjermane, “Der Spiegel”, “Welt” e “Junge Freiheit” e theksuan heshtjen e kancelarit gjatë konferencës për gazetarë.

Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, i kushtoi një artikull të gjatë deklaratës së presidentit palestinez. Artikullin e titulloi: “Turpi në kancelarinë federale”

Kundër deklaratës së tij reagoi edhe kryeministri izraelit, Yair Lapid. “Akuza e Abbas-it ndaj Izraelit për kryerjen e ’50 Holokausteve’ gjatë qëndrimit në tokën gjermane nuk është vetëm turpërim moral, por edhe gënjeshtër e përçudnuar. Historia kurrë nuk do ta falë atë”, shkroi kryeministri izraelit në Twitter.

Lajme të ngjashme