Arrihet armëpushimi Izrael-Gaza me ndërmjetësim të Egjiptit - NACIONALE

Arrihet armëpushimi Izrael-Gaza me ndërmjetësim të Egjiptit

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kanë nisur bisedimet për përfundimin e dhunës së fundit midis Izraelit dhe militantëve palestinezë, nga e cila mbetën të vrarë të paktën 31 palestinezë.

Ndërsa zyrtarisht bisedimet janë ende në progres, raportohet se militantët e Xhihadit Islamik dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Raketat e lëshuara nga Gaza ranë në Izrael për herë të parë që nga maji i vitit të kaluar. Ndërsa, Izraeli tha se nisi sulmet për shkak të “kërcënimit të menjëhershëm” nga militantët.

E që nga konflikti 11-ditor në maj të vitit 2021 që la të vrarë më shumë se 200 palestinezë dhe dhjetëra izraelitë, dhuna e fundit, është shpërthimi më serioz mes Gazës dhe Izralit.

Megjithatë, dhuna deri më tani ka qenë më e kufizuar pasi Hamasi - grupi islamik që sundon Rripin e Gazës deri më tani nuk është bashkuar me sulmet kundër Izraelit. Ndërsa, Izraeli thotë se PIJ ka lëshuar qindra raketa ditët e fundit, shumica e të cilave janë kapur. Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar në Izrael.

Poashtu nuk ka pasur raportime për sulme ajrore izraelite në synim të Hamasit, gjë që do të shënonte një përshkallëzim të dhunës.

Ndërkohë, për funeralet e të vrarëve në sulmet në Rafah, duke përfshirë komandantin e lartë të PIJ Khaled Mansour janë mbledhur turma të mëdha me njerëz. Poashtu në mbështetje të Gaza-s janë mbajtur demonstrata edhe në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor.

Raportet e fundit, për një marrëveshje të mundshme armëpushimi vijnë mes shqetësimeve për situatën humanitare në Gaza, pasi zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan se spitalet kishin karburant të mjaftueshëm vetëm për të vënë në punë gjeneratorët për dy ditë të tjera.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës fajësoi "agresionin izraelit" për vdekjen e palestinezëve dhe për 265 personat e plagosur.

Ndërkohë që, Izraeli akuzoi militantët e PIJ-së se shkaktuan aksidentalisht të paktën disa nga këto vdekje - duke pretenduar të shtunën se grupi hodhi një raketë endacake që vrau shumë fëmijë në Jabalia, në Rripin e Gazës.

Konflikti i fundit pason arrestimin e Bassem Saadi nga Izraeli, i cili raportohet të jetë kreu i PIJ në Bregun Perëndimor.

Ai u mbajt në zonën e Jeninit si pjesë e një serie të vazhdueshme operacionesh arrestimi pas një vale sulmesh nga arabët dhe palestinezët izraelitë që lanë të vdekur 17 izraelitë dhe dy ukrainas.

PIJ, e cila është një nga grupet më të forta militante që vepron në Gaza, mbështetet nga Irani dhe ka selinë e saj në kryeqytetin sirian Damask.

Grupi ka qenë përgjegjëse për shumë sulme, duke përfshirë raketat dhe të shtënat kundër Izraelit.

Kujtojmë se, në nëntor 2019, Izraeli dhe PIJ luftuan një konflikt pesë-ditor pas vrasjes së një komandanti të grupit nga ana e Izraelit. Atëkohë, dhuna la 34 palestinezë të vdekur dhe 111 të plagosur.

Izraeli tha se 25 nga palestinezët e vrarë ishin militantë, përfshirë disa që ishin goditur gjatë përgatitjes për të lëshuar raketa.

Lajme të ngjashme