Luftimet mes Izraelit e Gazës hyjnë në ditën e dytë me sulme ajrore e raketa - NACIONALE

Luftimet mes Izraelit e Gazës hyjnë në ditën e dytë me sulme ajrore e raketa

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aeroplanët luftarakë izraelitë kryen sulme në Gaza, ndërsa palestinezët hodhën raketa drejt Izraelit të shtunën, pasi një operacion izraelit kundër grupit militant, “Xhihadi Islam”, i dha fund një periudhe prej më shumë se një viti të qetësisë relative përgjatë kufirit.

Të premten, Izraeli vrau njërin nga komandantët më të lartë të këtij grupi përmes një sulmi ajror në një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza, që nxiti kundërpërgjigje me raketa nga palestinezët, shkruan "Reuters".

Të shtunën, Izraeli tha se i goditi militantët e “Xhihadit Islam” që po përgatiteshin për të hedhur raketa. Në bombardime u shënjestruan edhe tri shtëpi, thanë dëshmitarët, duke e shkatërruar të paktën njërën prej tyre, ndërsa zhurma e më shumë shpërthimeve u dëgjua në qytetin Gaza.

Militantët palestinezë hodhën të paktën 160 raketa matanë kufirit, duke i aktivizuar sirenat e alarmit dhe duke i detyruar njerëzit që të fshiheshin në strehimore kundër bombave deri në qytetin qendror izraelit, Modin, mes Tel Avivit e Jerusalemit.

Shumica e raketave u penguan nga sistemi izraelit i mbrojtjes raketore dhe nuk pati raporte për pasoja serioze në njerëz, sipas shërbimit ambulantor izraelit.

Ndërkohë po bëhen përpjekje nga Egjipti, Kombet e Bashkuara dhe Katari që t’u jepet fund luftimeve. Eskalimi i mundshëm varet nga vendimi i grupit Hamas, që e kontrollon Gazën, për t’u bashkuar në luftime.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Palestinës, nga sulmet izraelite janë vrarë 12 palestinezë, përfshirë të paktën katër militantë të “Xhihadit Islam” dhe një fëmijë, ndërsa të paktën 84 njerëz janë plagosur.

Grupi militant nuk ofroi hollësi të sakta për numrin e anëtarëve të vrarë dhe dha shenjë se nuk do të ketë armëpushim të menjëhershëm. “Tash është koha për rezistencë, jo për armëpushim”, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i grupit.

Ushtria izraelite tha se ka ndaluar 19 militantë të “Xhihadit Islam” përmes bastisjeve në Bregun e pushtuar Perëndimor gjatë shënjestrimit të qendrave për prodhimin e raketave në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme