Izraelitët bombarduan Gazën, Xhihadi Islamik premtoi hakmarrje - NACIONALE

Izraelitët bombarduan Gazën, Xhihadi Islamik premtoi hakmarrje

1 javë më parë

nga Lirim Krasniqi

Forcat izraelite (IDF) bombarduan objektiva në Gaza që ata pretendojnë se janë të lidhura me Xhihadin Islamik dhe vranë komandantin e asaj lëvizje militante islamike, e cila njoftoi hakmarrjen duke pretenduar se mund të godiste edhe Tel Avivin.

Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se sulmi vrau të paktën tetë persona, duke përfshirë një fëmijë pesë-vjeçar dhe plagosi 44. Sulmi pasoi ditë të përshkallëzimit të tensioneve pas arrestimit të një udhëheqësi militant palestinez gjatë javës.

"IDF aktualisht po sulmon në Rripin e Gazës. Një situatë e jashtëzakonshme është shpallur në frontin e brendshëm izraelit", njoftoi ushtria.

Një zyrtar palestinez i Xhihadit Islamik tha se Tayser al-Jabari, një komandant i lartë i lëvizjes, u vra në sulmet, të cilat goditën disa objektiva në zonën me popullsi të dendur.

Përshkallëzimi

Sulmet vijnë pasi Izraeli arrestoi Basam al-Saadi, një udhëheqës i lartë i grupit xhihadist islamik palestinez, gjatë një bastisjeje në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor në fillim të kësaj jave.

Më pas, të gjitha vendkalimet në Gaza dhe në rrugët përreth u mbyllën për shkak të frikës së hakmarrjes nga një grup me bazë në Gaza.

Në një deklaratë të transmetuar në Al Mayadeen TV, një kanal libanez pro-iranian, udhëheqësi xhihadist islamik Ziad al-Nakhala premtoi hakmarrje për sulmet. "Nuk ka vija të kuqe në këtë luftë dhe Tel Avivi do të bjerë nën predhat e rezistencës, si të gjitha qytetet izraelite", tha ai.

Gaza, një rrip i ngushtë toke me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh në 365 kilometra katrorë, ka qenë një pikë konstante konflikti që kur Hamasi mori kontrollin e zonës në vitin 2007.

Izraeli ka luftuar pesë konflikte me Gazën që nga viti 2009, më i fundit ishte në maj 2021, kur Hamasi hodhi mijëra raketa në Izrael dhe Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në Rripin e Gazës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme