Turqia i dënon sulmet izraelite në Gaza, ndërkohë i përkrah eksportet e Rusisë - NACIONALE

Turqia i dënon sulmet izraelite në Gaza, ndërkohë i përkrah eksportet e Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Turqisë i dënoi fuqishëm të shtunën sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe tha se “është e papranueshme që civilët, përfshirë fëmijët, ta humbin jetën në sulme”.

Kjo ministri bëri thirrje për “përmbajtje dhe mendim logjik” në kohën e rritjes së tensioneve në rajon pas sulmeve vdekjeprurëse në Gaza.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e tensioneve në rajon pas sulmeve. Ne e theksojmë nevojën për t’u dhënë fund këtyre ngjarjeve para se të kthehen në spirale të re të konfliktit”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmet ajrore izraelite rezultuan në dhjetë vdekje, përfshirë një vajzë 5-vjeçare, dhe lëndimin e 44 palestinezëve.

Lëvizja “Xhihadi Islamik” tha se Taysir al-Jabari, komandant i grupit për rajonin verior të Gazës, u vra nga sulmet ajrore.

Ushtria izraelite konfirmoi se i kishte vënë në shënjestër al-Jabari-n dhe dhjetë të tjerë, duke pretenduar se ata po planifikonin që të kryenin operacione me snajperë dhe të hidhnin raketa anti-tank.

Ndërkohë presidenti turk, Rexhep Erdogan, të premten zhvilloi takim 4-orësh me homologun rus, Vladimir Putin, në qytetin bregdetar rus, Soçi. Dy presidentët e nënvizuan rëndësinë e eksporteve të drithërave dhe plehrave ruse, raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve, “Anadolu”.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit të gjatë, dy udhëheqësit konfirmuan se marrëdhëniet konstruktive mes Ankarasë dhe Moskës luajtën rol për arritjen e marrëveshjes së muajit të kaluar për transportin e sigurt të drithërave dhe prodhimeve të tjera ushqimore nga portet ukrainase.

Në takimin e Soçit, Erdogani dhe Putini e nënvizuan nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Stambollit, përfshirë eksportimin e lëndës së parë, që është e nevojshme për prodhimin e drithërave dhe plehrave të Rusisë, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Disa ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti turk kishte thënë se pushtimi rus i Ukrainës është i papranueshëm, por se vendi i tij nuk do t’i ndërpresë raportet me asnjërën palë të konfliktit, sepse Ankaraja ka marrëdhënie të fuqishme me të dyja shtetet./Nacionale

Lajme të ngjashme