Plani për kapjen e Gazës pritet të zgjasë 4-5 muaj, do të fokusohet në Qytetin Gaza dhe në qendër
Kabineti izraelit pritet që të enjten të miratojë një plan të ndarë në faza për pushtimin e zonave të reja të mëdha të Rripit të Gazës, me gjasë për një periudhë prej pesë muajsh, duke zhvendosur përsëri rreth një milion palestinezë dhe pavarësisht nga paralajmërimi i zyrtarëve të lartë ushtarakë se një plan i tillë do të mund ta rrezikonte jetën e pengjeve që po mbahen ende në ato zona, sipas disa raportimeve të mediave izraelite të mërkurën.
Thuhet se qëllimi i planit është që të shkatërrohet ajo që i ka mbetur Hamasit dhe t’i bëhet presion grupit për t’i liruar 50 pengjet që është duke i mbajtur ende – rreth 20 prej tyre të gjalla – pas dështimit të bisedimeve rishtazi. Operacioni do të fillonte me marrjen nën kontroll të Qytetit Gaza dhe kampeve në pjesën qendrore të enklavës, duke e shtyrë rreth gjysmën e popullsisë së Gazës për në jug, drejt zonës humanitare në Mawasi, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Edhe pse disa ministra me gjasë mund të jenë kundër planit, në shumë raportime thuhet se kryeministri Benjamin Netanyahu pritet që ta sigurojë shumicën e votave në kabinetin e sigurisë për ta mbështetur planin. Kabineti do të takohet të enjten në orën 18:00.
Gjatë një diskutimi të sigurisë që zgjati tri orë të mërkurën mes një grupi më të vogël zyrtarësh, Netanyahut iu paraqitën disa opsione për vazhdimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës. Planet u paraqitën nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir.
Çfarë përmban plani?
Thuhet se plani fillimisht përqendrohet në kapjen e Qytetit Gaza dhe zgjerimin e qendrave të shpërndarjes së ndihmave në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara.
Sipas kanalit “Channel 12”, në fazën e parë të planit, Izraeli do të lëshojë njoftim për evakuim për banorët e Qytetit Gaza – ku vlerësohet se jetojnë rreth 1 milion njerëz, apo rreth gjysma e popullsisë së enklavës – për të lejuar kohë për ndërtimin e infrastrukturës civile në pjesën qendrore të Gazës, përfshirë spitalet dhe kampet për personat e evakuuar. Kjo fazë pritet të zgjasë disa javë.
Izraeli më pas do të niste një ofensivë ushtarake në fazën e dytë, gjatë së cilës presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të mbajë një fjalim duke e njoftuar përshpejtimin e ndihmave humanitare në bashkërendim me Izraelin, thuhet më tej në raport.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i tha mediumit “Bloomberg” të mërkurën se ka shtysë për të shtuar shpejt 12 pika të shpërndarjes së ndihmave, përpos katër të tjerave që tani për tani janë duke u menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili mbështetet nga Izraeli dhe ShBA-ja.
Shtimi i këtyre pikave do të financohej nga rreth 1 miliard dollarë donacione nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, tha kanali “Channel 12”, duke shtuar se qëllimi do të jetë që banorëve të Gazës t’u mundësohet qasja ën ndihma pa kaluar nëpër duart e Hamasit, derisa Qyteti Gaza të bjerë nën kontrollin izraelit.

Në raportimet e mediumeve “Ynet”, “Kan TV” dhe “Channel 13” thuhet se fushata e re ushtarake pritet të zgjasë mes katër e pesë muajve dhe të përfshijë katër ose pesë divizione të ushtrisë izraelite. Televizioni publik raportoi se, përpos Qytetit Gaza në pjesën veriore, plani është që operacioni të zgjerohet edhe në kampet që ndodhen në pjesën qendrore të enklavës, ku ushtria izraelite ka manovruar pak deri më tani.
Popullsia civile pritet të shtyhet më tej drejt jugut të Rripit të Gazës, ndërsa manovrimet e ushtrisë do të zhvillohen në zonat ku besohet se janë duke u mbajtur pengjet, por duke u bërë përpjekje që të shmanget lëndimi i tyre.
Transmetuesi publik izraelit raportoi se shtetet që kanë ndërmjetësuar në bisedime – Egjipti dhe Katari – janë duke i bërë presion Izraelit, përmes Shteteve të Bashkuara, që të mos e zbatojë këtë plan. Ndërkohë, këto vende po i bëjnë thirrje edhe Hamasit që t’i rinisë bisedimet.
Televizioni “Kan TV” citoi burime të paidentifikuara të sigurisë të kenë thënë se qëllimi është që të shtyhen shpejt më shumë banorë të Gazës drejt zonës Mawasi, me shpresën se kjo do t’i shërbejë planit të deklaruar për ta inkurajuar emigrimin nga Gaza./Nacionale