Pesë parashikime për gjashtë muajt e ardhshëm në luftën Rusi-Ukrainë - NACIONALE

Pesë parashikime për gjashtë muajt e ardhshëm në luftën Rusi-Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë kanë kaluar gjashtë muaj, ja çfarë mund të presim në gjashtë muajt e ardhshëm sipas The Guardian.

1. Lufta ndoshta do të zgjasë për të paktën një vit, por në thelb është bllokuar dhe intensiteti i saj po bie

Edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj luftë, as Ukraina e as Rusia nuk janë gati ta ndalojnë atë, pavarësisht humbjeve që kanë pësuar. Ukraina dëshiron të kthejë territoret e saj të pushtuara e Rusia dëshiron të vazhdojë t’i shkaktojë dhimbje jo vetëm kundërshtarit të saj por edhe Perëndimit. Kremlini ka besimin që dimri do t’i sjellë më shumë përparësi.

Që nga provat për masakrat në Bucha, Irpin dhe vende të tjera në veri të Kievit, nuk ka pasur më negociata mes dy palëve. Por, që nga rënia e Lysychansk në muajin qershor, lëvizjet në vijat e frontit kanë qenë minimale. Të dy palët duket gjithnjë e më shumë të rraskapitura.

2. Ukraina nuk ka mjete për kundërsulm efektiv konvencional, ndërsa sulmet guerile janë një mënyrë optimiste për të përshpejtuar një kolaps rus

Ukraina do të donte të rimarrë Kherson-in, në perëndim të lumit Dnieper, por një figurë e lartë e administratës pranoi privatisht se "nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për t'i larguar forcat ruse”. Kievi e ka zhvendosur strategjinë e tij në ngritjen e sulmeve me raketa me rreze të gjatë dhe sulme të guximshme të forcave speciale në bazat ruse thellë prapa vijës së frontit.

Këshilltari kryesor presidencial Mykhailo Podolyak tha se qëllimi ishte të "krijohej kaos brenda forcave ruse", por ndërsa kjo do të zbehte efektivitetin e pushtuesit, nuk ka të ngjarë që të çojë në rrëzimin e pushtuesve në vetvete.

3. Rusia ende dëshiron të përparojë, por me shumë mundësi vëmendja e saj do të zhvendoset në mbajtjen dhe aneksimin e territoreve të fituara

Rusia nuk ka plan të ri sulmues, përveçse të artilerisë masive, të shkatërrojë qytete dhe të bëjë rrugën e saj përpara. Ajo e bën këtë pjesërisht sepse është efektive dhe pjesërisht për të minimizuar viktimat, ku sipas vlerësimeve perëndimore vendi tashmë ka humbuar rreth 15,000 trupa.

Kremlini mund të mos ketë arritur atë që shpresonte në fillim të luftës, por tani zotëron pjesë të mëdha të territorit ukrainas në lindje dhe jug dhe po flet në mënyrë aktive për mbajtjen e referendumeve të aneksimit. Me afrimin e shpejtë të motit më të freskët, ka të ngjarë të fokusohet në konsolidimin e asaj që ka marrë deri më tani.

4. Dimri do të përshpejtojë një krizë të re refugjatësh dhe do të krijojë mundësi për përgatitje të reja

Ukraina është tashmë në ankth për çështjet humanitare sepse nuk ka ngrohje me gaz për blloqet e apartamenteve në provincën Donetsk dhe zona të tjera të vijës së frontit. Një zyrtar humanitar parashikoi se në dimër do të kishte një valë të re migrimi, me ndoshta deri në 2 milionë njerëz që do të kalonin kufirin në Poloni.

Ndërsa, rusët e shohin dimrin si një mundësi. Ukraina ka frikë se Rusia do të synojë rrjetin e saj të energjisë, duke e bërë dilemën e saj të ngrohjes më të mprehtë dhe thjesht mund të fikë stacionin e madh të energjisë bërthamore Zaporizhzhia. Moska gjithashtu dëshiron të zgjasë dhimbjen e perëndimit për kostot e energjisë.

Megjithatë, pranvera mund të jetë koha për një sulm të rinovuar – secila palë do të dëshirojë të rimbushet dhe të përgatitet për atë që ka të ngjarë të jetë një sezon tjetër luftimi.

5. Perëndimi duhet të vendosë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë apo thjesht të rezistojë – dhe i duhet të ndajë ndihmë humanitare sipas nevojës

Pa ndihmën ushtarake perëndimore, Ukraina do të ishte mposhtur. Por në asnjë moment deri më tani perëndimi nuk e ka furnizuar mjaftueshëm me artileri apo armë të tjera, si avionë luftarakë, që do të lejonin Kievin të largonte pushtuesit. Edhe pse, politikanët flasin për nevojën për ta detyruar Rusinë në kufijtë e paraluftës, ata nuk janë duke ofruar materiale të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Në të njëjtën kohë, nevoja humanitare e Ukrainës po rritet. Për shembull, nuk ka para të mjaftueshme për rindërtim – dhe shumë shtëpi në veri-lindje dhe veri-perëndim të Kievit mbeten të rrënuara pesë muaj pas largimit të rusëve, shpesh me banorë të dëshpëruar që jetojnë në garazhe ose struktura të përkohshme në vend.

Njerëzit të cilët janë zhvendosur brenda vendit shpesh duhet të jetojnë në shkolla ose kopshte, strehim të përkohshëm në të cilat njerëzit përpiqen të qëndrojnë për një periudhë të gjatë kohore. Ukraina ka një boshllëk buxhetor prej 5 miliardë dollarësh në muaj për shkak të luftës; ndihma dhe rindërtimi do të kushtojë shumëfish.

Lajme të ngjashme