Përdhunohen në grup tetë modele gjatë xhirimeve të një klipi, thirrje për kastrim të sulmuesve
Më shumë se 80 persona janë paraqitur sot në gjykatë pasi tetë modele janë përdhunuar në grup nën kërcënim të armës nga një bandë, teksa xhironin një video muzikore pranë një miniere ilegale ari në Afrikën e Jugut.
Sipas DailyMail, krimi tronditës ka ndodhur pranë Johannesburg me 28 korrik, ndërsa një ekip produksioni po filmonte në natyrë.
Bëhet e ditur se modelet ishin përdhunuar nga dhjetë herë secila, ku viktima më e re ishte 19-vjeçe ndërsa ajo më e madhja 37.
Po ashtu është njoftuar se pas sulmit, banda ka grabitur telefonat celularë, unazat, çantat, paratë dhe kamerat e ekipit.
Ky incident ka tronditur Afrikën e Jugut, e cila tashmë ka disa nga nivelet më të larta të krimit dhe shkallën e tretë më të lartë të përdhunimeve në botë. Pas incidentit janë bërë thirrje në masë që përdhunuesit të kastrohen.

"Ajo që ndodhi në Krugersdorp është vetëm një turp për kombin", ka deklaruar ministri i policisë, Bheki Cele, në një konferencë shtypi të hënën, duke shtuar se disa nga viktimat do të vuanin pasoja afatgjata.
Për krimin, policia e vendit ka fajësuar emigrantët e paligjshëm që punojnë në miniera - të njohur në vend si Zama Zama - dhe ka arrestuar 84 persona.
Shefi i policisë kombëtare është shprehur se një hetim do të vërtetojë nëse të ndaluarit janë të lidhur me përdhunimin.
Në xhirimet e projektit, pjesëmarrës ishin 12 gra dhe 10 burra, ndërsa besohet se të gjitha modelet ishin nga Johannesburgu dhe të punësuara po atë ditë.

Mësohet se kur sulmuesit u janë afruar, vajzat janë përpjekur të vrapojnë por banda ka nisur të qëllojë me armë drejt tyre. Më pas modelet dhe ekuipazhi janë urdhëruar të shtrihen në tokë – ku ka nisur edhe sulmi ndaj tyre, me sulmuesit që kanë tërhequr vajzat një nga një në shkurre duke e përdhunuar nga 10 herë secilën.
Në kërkim të drejtësisë, ditën e hënë jashtë gjykatës në vend është mbledhur një grup personash. Sipas mediave ata kanë mbajtur në duar tabela ku shkruhej: “Jo lirim me kusht për përdhunuesit”, “A jam unë e radhës” dhe “Trupi im nuk është skenë krimi”.
Incidenti ka nxitur një debat të vazhdueshëm rreth asaj se a duhet të merret si vendim kastrimi kimik për përdhunuesit.

