“Gra të bukura e gaz i lirë”, metoda e çuditshme ruse për t'i tërhequr të huajt të jetojnë në Rusi - NACIONALE

“Gra të bukura e gaz i lirë”, metoda e çuditshme ruse për t'i tërhequr të huajt të jetojnë në Rusi

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një video e publikuar në rrjetet sociale nga Ambasada Ruse në Spanjë, ka lënë të habitur të gjithë shikuesit duke i vënë në dyshim nëse është shaka apo serioze.

Më titullin “Koha për t’u vendosur në Rusi”, video e çuditshme që më shumë duket si satirë, promovon cilësitë kombëtare të vendit duke ftuar njerëzit që të vendosen për të jetuar atje.

Klipi promovues i çuditshëm, i publikuar nga ambasada, nuk dihet ende nëse është një prodhim zyrtar i Kremlinit.

Video nis me pamje të fëmijëve që vrapojnë nëpër fusha, vazhdon me kuzhinën ruse e deri të monumentet kulturore të vendit.

Më tej, ndër arsyet për t’u zhvendosur në Rusi, në klip janë renditura gjëra si: “gaz i lirë” dhe “ekonomi që mund të përballojë mijëra sanksione”.

Nga ana tjetër, në video lartësohet edhe “historia e pasur, letërsia e famshme botërore, arkitektura unike, baleti dhe mikpritja” e Rusisë në një mënyrë që e bën vendin të duket mjaft tërheqës.

Më tej ndër arsyet për t’u krenuar shfaqen edhe “vlerat tradicionale, krishterimi dhe gratë e bukura” që duket se cilësohen si një burim kombëtar – një mënyrë kjo për t’treguar emigrantëve të mundshëm se çfarë i pret në vend.

Klipi gjithashtu gjen hapësirë për të festuar me krenari “taksitë dhe dërgesat e lira, energjinë elektrike dhe ujin e lirë” e poashtu vodkën e Rusisë.

Video përfundohet me një kujtesë që siç duket u drejtohet liderëve evropianë ku thuhet: “Mos vononi…dimri po vjen”.

Megjithatë, përgjigja që kjo video ka marrë në rrjetet sociale nuk ka qenë aq pozitive me disa që shkruajtën se, në klip nuk janë përmendur shkelja e të drejtave të njeriut e shkelja e ligjit ndërkombëtar.

“Ata nuk përmendin shkeljen e të drejtave të njeriut, shkeljen e ligjit ndërkombëtar, për të mos përmendur se është vendi ku protesta paqësore dënohet me disa vite burg, ku nëse je kundërshtar i regjimit të ekzekutojnë me Polonium ose me dy plumba”, ka qenë një ndër reagimet e përdoruesëve të rrjetit social.

Kjo mënyrë për të nxitur emigrimin në Rusi, vjen në një kohë mjaft të vështirë për vendin, pasi popullsia e saj është duke u zvogëluar, ku llogaritet që mesatarja e jetëgjatësisë është vetëm 65.1 vjet.

Lidhur me këto shifra, Moscow Times shkruan se popullsia e Rusisë ka qenë në rënie pothuajse të vazhdueshme për dekada dhe pandemia e koronavirusit ka çuar në rënien më të madhe natyrore që nga fundi i Bashkimit Sovjetik në 2021.

Lajme të ngjashme